Politika 8 August 2026, 15:41 Nga VNA

Fituesit “u shpallën” më 2 korrik, por lista ende nuk ekziston: Misteri me grantet e Start-Up-eve të Delina Ibrahimajt

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-08 at 3.35.54 PM.jpeg

Më 17 shkurt u hap thirrja për grantet e Start-Up-eve për vitin 2026. Procesi u shoqërua me vonesa, ndërsa Agjencia Kombëtare e Startup-eve njoftoi se numri i aplikimeve ishte i lartë dhe se, për shkak të kërkesës së madhe, ishte vendosur edhe shtimi i fondeve në dispozicion.

Më 2 korrik, Agjencia zhvilloi ceremoninë publike të shpalljes së fituesve. Në aktivitet morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Startup-eve, Arjan Ymeri.

Ceremonia u transmetua publikisht. Kryeministri Rama foli për “shtyrje të shpalljes së fituesve”, ministrja iu referua përfituesve të Grantit 2026, ndërsa Arjan Ymeri iu drejtua drejtpërdrejt “fituesve të Grant 2026”.2222.PNG

11111.PNG

Pra, më 2 korrik, para kamerave dhe publikut, fituesit u shpallën.

Por më 7 gusht, pas publikimit të investigimit të VNA mbi përfituesit e granteve, Agjencia dha një version tjetër. Përfaqësues të saj kontaktuan VNA-n dhe pretenduan se lista përfundimtare e fituesve ende nuk ishte publikuar, se procesi i përzgjedhjes kishte përfunduar më 6 korrik dhe se lista e siguruar nga VNA ishte e sajuar nga individë të tjerë.

Këtu nis kontradikta që Agjencia nuk e mbulon dot me procedura dhe postime në Instagram.

Nëse lista zyrtare e fituesve nuk është publikuar ende, atëherë çfarë u shpall më 2 korrik? Nëse më 2 korrik u shpallën fituesit, pse më shumë se një muaj më pas Agjencia thotë se lista nuk ekziston ende? Dhe nëse lista e siguruar nga VNA është e sajuar, pse institucioni nuk publikon listën e vërtetë?

Manipulimi me listën është i qartë si drita e diellit. Nuk mund të ketë një ceremoni publike për “fituesit” dhe, kur dalin pikëpyetjet mbi përfituesit, institucioni të pretendojë se lista zyrtare ende nuk është publikuar.

Investigimi i VNA ngriti pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë ndarë grantet. Nga krahasimi i listave të tre thirrjeve të zhvilluara deri më tani rezulton se një numër i konsiderueshëm projekt-idesh janë financuar në mënyrë të përsëritur, ndërsa disa prej tyre shfaqen si fituese në të tre thirrjet.

Po ashtu, VNA evidentoi raste ku subjekte të shpallura fituese, sipas verifikimeve të kryera, kishin një prani minimale publike: vetëm emrin, pa një aplikacion funksional apo faqe interneti. Në një tjetër rast, bëhej fjalë për një subjekt të krijuar vetëm tre ditë përpara hapjes së thirrjes për grant, i cili më pas rezultonte fitues.

Këto nuk janë detaje teknike. Janë tregues të një skeme ku fondet publike për Start-Up-et rrezikojnë të kthehen në financim për projekte që përsëriten nga viti në vit, subjekte pa gjurmë reale publike dhe kompani që duken se ekzistojnë vetëm në letra.

Përballë këtyre të dhënave, reagimi i Agjencisë nuk jep asnjë përgjigje konkrete. Në vend që të publikonte listën zyrtare, të tregonte cilat të dhëna të VNA-s janë të pasakta dhe të sqaronte përfituesit realë, institucioni iu referua një postimi në Instagram ku shpjegohet procedura e aplikimit.

Sipas këtij shpjegimi, subjektet kanë 30 ditë për dorëzimin e dokumentacionit, aplikimet shqyrtohen nga Komisioni i Vlerësimit, Komisionit të Ankimimit i duhen pesë ditë për ankesat dhe pas përfundimit të ankimimit parashikohen 15 ditë për publikimin e listës.

insta 1.PNG

Insta 2.PNG

Insta 3.PNG

Por procedura nuk e zgjidh kontradiktën. Përkundrazi, e thellon.

Sepse Agjencia thotë se procesi i përzgjedhjes përfundoi më 6 gusht. Ndërkohë ceremonia e fituesve u zhvillua më 2 korrik. Pra, fituesit u shpallën para përfundimit të procesit, apo procesi kishte përfunduar realisht më herët dhe sot po fshihet lista?

Kjo është pjesa më e rëndë e historisë.

Nëse lista e VNA-s është e sajuar, Agjencia duhet ta rrëzojë me dokumente, jo me deklarime telefonike apo postime procedurale. Mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë është publikimi i listës zyrtare.

Nëse lista që disponon VNA përmban fituesit realë, atëherë Agjencia dhe Ministria e Ekonomisë duhet të shpjegojnë pse këta përfitues nuk janë bërë publikë, si janë përzgjedhur, mbi çfarë kriteresh kanë marrë fondet dhe pse mes tyre rezultojnë projekte të përsëritura, subjekte me prani minimale publike apo kompani të krijuara vetëm pak ditë përpara hapjes së thirrjes.

Në të dyja rastet, përgjigjja nuk mund të jetë një postim në rrjetet sociale. Duhet listë zyrtare, dokumente, kritere, pikëzim dhe transparencë mbi shumën e përfituar nga secili subjekt.

Sepse kur bëhet fjalë për fonde publike, publiku ka të drejtë të dijë kush aplikoi, kush fitoi, kush u skualifikua, mbi çfarë baze u bë përzgjedhja dhe sa para mori secili përfitues.

Dilema tashmë është e thjeshtë: ose lista është e sajuar dhe Agjencia duhet të tregojë listën e vërtetë, ose lista që disponon VNA përmban fituesit realë dhe atëherë duhet të shpjegohen pikëpyetjet mbi përfituesit.

Në mes janë fondet publike. Dhe aty ku duhet të kishte transparencë, aktualisht ka një ceremoni fituesish pa listë zyrtare, një proces të mbyllur pa dokument publik dhe një institucion që kundërshton investigimin pa treguar provën kryesore: listën e vërtetë.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme