Arrestohet në Levan të Fierit Sokrat Vata që vrau turistin francez. I dyshuari u arrestua në një bagazh makine në përpjekje për tu arratisur.
Vata goditi për vdekje me thikë Miguel Mendez pas një sherri për një vajzë.
Sokrat Vata, 29 vjeç, nga Hasi, i cili sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka goditur me thikë të riun francez
rezulton një emër i njohur më parë për drejtësinë britanike. Në shtator të vitit 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi atë me 5 vite burg. Ai kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim me qëllim furnizimin me drogë të klasit A, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.
Njoftimi i policisë
Levan, Fier/Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil
Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






















