Opinion 16 Shkurt 2025, 19:57 Nga VNA

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sky ECC, pse është një hap i guximshëm në përputhje me jurisprudencën evropiane

Ndaje në Whatsapp
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sky ECC, pse është

Nga Eduard Halimi

Vendimi i fundit unanim i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i zbardhur dhe publikuar këtë javë, lidhur me ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e provave të siguruara përmes komunikimeve të koduara në platformën Sky ECC është një hap i guximshëm dhe në përputhje të plotë me praktikat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (ECJ).

Java ka patur vendime të tjera të guximshme të drejtësisë, por edhe ky vendim është po ashtu i rëndësishem sepse synon të ndihmojë organet ligjzbatuese të zbardhin kontratën e politikës me krimin e organizuar tani para zgjedhjeve të 11 majit.

E kam ndjekur rastin i shtyrë vetëm nga interesi akademik dhe qëndrimi i hershëm se operacioni francez “Vanilla” lidhur me platformat e enkriptuara është një histori fantastike e drejtësisë në botë. Për Shqipërinë ajo ndërthuret rreth kontratës së krimit me politikën: ti më ndihmo të fitoj zgjedhjet, unë në pushtet, të jap tendera, pasuri, të fal taksa, apo support kur ke probleme.

E kam pritur me interes vendimin e zbardhur ndaj po ndaj disa vlerësime rreth tij.  Kam argumentuar edhe në shkrime të mëparshme se Shqipëria duhet të ndjekë standardet evropiane në hetimin dhe gjykimin e krimeve të rënda, duke garantuar jo vetëm një sistem të fortë drejtësie, por edhe respektimin e të drejtave themelore.

Edhe pse skepticizmi ishte i madh për shkak të implikimit edhe me politikën,  vendimi i plotë konfirmon qasjen  që duhet të ndjekë sistemi ynë i drejtësisë për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë efektive.

 Konstatimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese

Ligjshmëria e provave nga Sky ECC

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se provat e siguruara përmes Sky ECC janë marrë në përputhje me ndihmën juridike ndërkombëtare dhe Konventën Evropiane për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Gjykata theksoi se këto prova ishin transferuar nga autoritetet franceze tek ato shqiptare në mënyrë legjitime dhe të dokumentuar.(faqe 49-50)

Ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm

Në përputhje me standardet ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm për përfshirje në veprimtari kriminale. Ky element është thelbësor për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, e cila është justifikuar me nevojën për hetim të plotë dhe garantimin e një procesi penal të rregullt.

Respektimi i të drejtave të mbrojtjes

Gjykata theksoi se të palëve duhet t’u jepet mundësia për të kundërshtuar ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e provave gjatë gjykimit penal. Kërkuesi ka mundësinë  të kundërshtojë mënyrën e marrjes së provave, çështje që lidhen me përgjimin masiv, të drejtën për mbrojtje dhe përdoshmërinë e transkripteve gjatë gjykimit.  . Ky është një element i rëndësishëm që garanton një proces të drejtë dhe respekton parimin e barazisë së armëve mes akuzës dhe mbrojtjes.

Përdorimi i provave të huaja si standard i pranuar në drejtësinë ndërkombëtare

Vendimi konfirmon se provat e mbledhura nga autoritetet e huaja, ndoshta edhe në aplikacionet e tjera, kur janë siguruar në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, mund të përdoren nga gjykatat shqiptare. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndjekjen penale të krimit të organizuar. Kjo në asnjë rast nuk do të nënkuptojë (pa) fajësinë pasi duhet të lidhet me elemente te tjerë.

*       Paralelizmi me vendimet e ECJ dhe ECHR

E drejta për mbrojtjen e privatësisë dhe proporcionaliteti

Në rastet e shqyrtuara nga ECHR, siç është “Big Brother Watch v. UK”, është theksuar se ndërhyrja në privatësi është e lejueshme nëse është proporcionale, e parashikueshme dhe ka si qëllim të ligjshëm sigurinë publike dhe luftën kundër krimit të organizuar. Gjykata Kushtetuese shqiptare ka ndjekur të njëjtin standard duke lejuar përdorimin e provave të Sky ECC si një mjet i ligjshëm për zbardhjen e veprimtarisë kriminale.

Përdorimi i provave të mbledhura nga shtete të tjera

ECJ, në vendimin “Minister for Justice and Equality v. LM”, ka theksuar se provat e siguruara nga një shtet tjetër mund të përdoren në një proces penal nëse janë marrë në përputhje me ligjin dhe të drejtat themelore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare është në të njëjtën linjë, duke konfirmuar se provat nga Sky ECC janë të vlefshme dhe të përdorshme në proceset gjyqësore në Shqipëri.

Nevoja për hetim efektiv të krimeve të rënda

ECHR, në rastin “M.K. v. France”, ka vendosur se shtetet kanë një detyrim pozitiv për të garantuar një hetim efektiv të krimeve të rënda. Gjykata Kushtetuese shqiptare ka ndjekur të njëjtin parim duke lejuar përdorimin e provave që ndihmojnë në hetimin e krimeve të rënda dhe në sigurimin e drejtësisë.

*  Përfundime

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap i guximshëm dhe i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare në luftën me krimin e organizuar dhe kontratën e politikës me krimin. Ai  konfirmon qasjen  efektive që duhet të ndjekim në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda. Në një epokë ku grupet kriminale përdorin teknologji të avancuar për të shmangur përgjegjësinë ligjore, organet e drejtësisë nuk mund të mbeten pas.

Ky vendim forcon shtetin e së drejtës, garanton një drejtësi më efektive dhe vendos një precedent të rëndësishëm për përdorimin e provave të siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe synon të zbardhë lidhjet e politikës me krimin e organizuar.

 

Video

Për të denoncuar farsën zgjedhore , Sali Berisha ka paralajmëruar sot se PD do të botojë sërish një libër për vjedhjen e zgjedhjeve. Ky është libri i dytë i zi i zgjedhjeve pas atij të zgjedhjeve lokale të vitit 2023

? Rama rikthehet në zyrë pas pushimeve – paralajmëron goditje të re ndaj ndërtimeve pa leje! Pas tre javësh pushime, Kryeministri Edi Rama është rikthyer sot në Kryeministri, ku ka zhvilluar takime me ministra dhe deputetë socialistë. Ndërkohë, pritet prezantimi i kabinetit të ri dhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare së PS. Por paralel me lëvizjet politike, Rama ka publikuar pamje nga prishjet me fadromë në Kepin e Rodonit, duke theksuar se aksioni kundër ndërtimeve pa leje nuk do të ndalet për këtë paralajmëron masa të reja. ? Lind pyetja: Kush i lejoi këto ndërtime, që sot Rama detyrohet t’i shembë me fadromë?" https://www.vna.al/politika/pas-pushimeve-rama-rikthehet-ne-zyre-ndertimet-pa-leje-kercenon-me-fadr-i13626

?Pamje dramatike. Ushtria izraelite sulmon Spitalin Nasser në jug të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve fillestare, të paktën 15 palestinezë mbetën të vrarë, në mesin e të cilëve edhe gazetarë.

Rrugët e Londrës Perëndimore u mbushën me ngjyra dhe muzikë për ditën e parë të Notting Hill Carnival, festivali më i madh rrugor në Evropë. Muzikantë dhe kërcimtarë me kostume të shndritshme morën pjesë në paradë, duke sjellë një atmosferë feste dhe shumë argëtim. Dita nisi me J’ouvert, një traditë që fillon në orën 06:00 të mëngjesit dhe shënon hapjen e festimeve gjatë fundjavës së Bank Holiday. Rrugët u mbushën me bojë dhe pluhur ngjyrash, ndërsa tingujt e daulles dhe instrumenteve të ndryshme muzikore ndiqnin paradën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme