Bota 1 March 2025, 17:17 Nga VNA

Udhëheqësit evropianë qëndrojnë përkrah Ukrainës pas takimit të nxehtë në Shtëpinë e Bardhë

Ndaje në Whatsapp
Udhëheqësit evropianë qëndrojnë përkrah

Udhëheqësit evropianë në pjesën më të madhe të kontinentit u zotuan të qëndrojnë përkrah Ukrainës pasi një takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shndërrua në një shkëmbim të nxehtë të premten, gjatë të cilit Presidenti ukrainas Zelenskyy u akuzua për mungesë respekti.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha se është bërë e qartë se "bota e lirë ka nevojë për një udhëheqës të ri".

"Ukraina është Europa! Ne qëndrojmë pranë Ukrainës", shkruajti zonja Kallas në platformën e mediave sociale X.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në rrjetin X se, "Ukraina mund të mbështetet tek Gjermania - dhe tek Evropa", ndërsa Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkruajti në mediat sociale, "Ukrainë, Spanja qëndron me ju".

“I dashur @ZelenskyyUa, të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, shkruajti Kryeministri polak Donald Tusk në rrjetin X.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve në Portugali: "Rusia është agresori dhe Ukraina është populli i sulmuar".

Udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë nga Finlanda, Holanda, Republika Çeke dhe Norvegjia gjithashtu iu drejtuan mediave sociale për të shprehur mbështetje për Ukrainën.

Jo të gjithë udhëheqësit evropianë e mbështetën Ukrainën. Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj ndihmës ushtarake të BE-së për Kievin, postoi në rrjetin X se, "Presidenti @realDonaldTrump qëndroi me guxim për paqen. Megjithëse ishte e vështirë për shumë ta përtypnin. Faleminderit, zoti President!"

Takimi midis Presidentëve Trump dhe Zelenskyy erdhi ndërsa dy vendet po përpiqeshin për një marrëveshje që do t'i mundësonte Shteteve të Bashkuara qasjen tek të drejtat e mineraleve të rralla të Ukrainës. Diskutimi mori një ton luftarak rreth 40 minuta pas takimit kur Presidenti Zelenskyy ngriti pushtimin nga Rusia të Krimesë në vitin 2014.

Nënpresidenti amerikan JD Vance e kritikoi menjëherë Presidentin Zelenskyy, duke e akuzuar atë për përfshirje në një "turne propagande".

Nënpresidenti Vance dhe Presidenti Trump e akuzuan udhëheqësin ukrainas se nuk ishte mirënjohës për ndihmën që vendi i tij ka marrë nga Uashingtoni.

Pas përfundimit të papritur të takimit, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se marrëveshja për mineralet nuk ishte nënshkruar.

Reagimi brenda vendit

Në Shtetet e Bashkuara, shumë përfaqësues republikanë në Kongres shprehën mbështetje për veprimet e Presidentit Trump.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson shkruajti në rrjetin Facebook se: "Falë Presidentit Trump - ditët e shfrytëzimit dhe mosrespektimit të Amerikës kanë PËRFUNDUAR", duke shtuar se ajo çfarë u pa në Zyrën Ovale ishte një "president amerikan që vë Amerikën të parën".

Senatori Lindsey Graham, i cili më parë ka mbështetur ndihmën ushtarake për Ukrainën, tha se: "Ajo që pashë në Zyrën Ovale ishte mungesë respekti dhe nuk e di nëse mund të kemi më marrje-dhënie me Zelenskyy-in".

Udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Steve Scalise, i cili gjithashtu ka mbështetur më parë ndihmën ushtarake për Ukrainën, shkruajti në rrjetin X se, "Presidenti Trump po lufton për PAQE në mbarë botën dhe po e pozicionon (axhendën) Amerika e Para si negocimin tonë më të mirë - ai është i vetmi që e ul Rusinë në tryezë për të shqyrtuar një marrëveshje paqeje serioze dhe të qëndrueshme me Ukrainën".

Përfaqësuesi Republikan Andy Biggs shkruajti në rrjetin X se, "Diktatori Zelensky pati guximin të mos respektonte Presidentin @realDonaldTrump dhe VP @JDVance gjatë atij që duhej të ishte një takim miqësor, dhe @POTUS me të drejtë i tregoi derën. Ky është roli udhëheqës që Amerika ka dëshiruar për katër vite".

Udhëheqësit demokratë në Kongres thanë se nga veprimet e Presidentit Trump do të përfitonte vetëm Rusia.

Trump dhe Vance po bëjnë punën e pistë të [Presidentit rus Vladimir] Putinit. Demokratët e Senatit nuk do të ndalojnë kurrë së luftuari për liri dhe demokraci", tha udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer.

Drejtuesi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, u shpreh me një deklaratë se: "Takimi i sotëm i Shtëpisë së Bardhë me Presidentin e Ukrainës ishte i tmerrshëm dhe do të shërbejë vetëm për ta inkurajuar më tej Vladimir Putinin, një diktator brutal. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të shpërblejnë agresionin rus dhe të vazhdojnë të qetësojnë Putinin"./VOA

 

 

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme