
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i gatshëm të firmosë një marrëveshje me Iranin vetëm nëse plotësohen kushtet kryesore të vendosura nga Uashingtoni. Deklarata u bë nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pas një mbledhjeje disaorëshe në Sallën e Menaxhimit të Krizave (Situation Room).
Takimi, i fokusuar në shqyrtimin e një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, përfundoi pa një vendim përfundimtar. Megjithëse bisedimet kanë shënuar progres, palët vazhdojnë të kenë dallime të rëndësishme, veçanërisht lidhur me programin bërthamor iranian.
“Presidenti Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse ajo i shërben interesave të Amerikës dhe respekton vijat e kuqe të vendosura prej tij. Irani nuk mund të zotërojë armë bërthamore”, tha zyrtari amerikan për AFP.
Sipas Trump, kuadri i marrëveshjes parashikon rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë, heqjen e minave detare në zonë, garanci që Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore, si dhe transferimin e rezervave të uraniumit të pasuruar te SHBA-ja.
Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se është i gatshëm të heqë bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke mundësuar lëvizjen e anijeve të bllokuara në rajon. “Nuk do të ketë transferim fondesh deri në një njoftim të ri. Çështjet e tjera, më pak të rëndësishme, janë dakordësuar”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni dhe Teherani kanë arritur në parim një memorandum mirëkuptimi që parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë dhe nisjen e negociatave mbi të ardhmen e programit bërthamor iranian. Megjithatë, raportimet e New York Times bëjnë të ditur se Trump u largua nga mbledhja pa marrë vendimin final.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë reaguar me skepticizëm ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Agjencia shtetërore Fars i cilësoi komentet e Trump si “një përzierje të së vërtetës dhe të pavërtetës”, duke theksuar se memorandumi nuk përfshin shkatërrimin e materialeve bërthamore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se prioriteti i Teheranit mbetet përfundimi i konfliktit dhe jo negociatat për programin bërthamor. “Jemi të përqendruar në përfundimin e luftës dhe nuk po zhvillohen negociata për çështjen bërthamore”, tha ai.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe kreu i ekipit negociator iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili theksoi se Irani nuk u beson premtimeve të palës amerikane.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Armëpushimi i vendosur më 8 prill është shoqëruar me akuza të ndërsjella për shkelje. Të enjten, Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se kishte goditur një bazë ajrore amerikane në Kuvajt, duke pretenduar se ajo ishte përdorur për sulme kundër qytetit-port iranian Bandar Abbas.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) e cilësoi sulmin si një “shkelje flagrante të armëpushimit”, duke paralajmëruar se situata në rajon mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme.






















