Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij nuk synon të ndërtojë armë bërthamore, ndërsa ka akuzuar Izraelin si përgjegjës për tensionet dhe paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.
Në deklaratat e transmetuara nga agjencia shtetërore ISNA, Pezeshkian foli edhe për negociatat intensive mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Irani hyn në proceset diplomatike “me kokën lart” dhe pa hequr dorë nga dinjiteti i tij.
“Ne nuk hyjmë në diplomaci me poshtërim. Nëse përballemi me fuqinë më të madhe në botë, duhet të jemi të përgatitur për vështirësi. Negociatorët tanë nuk do të bëjnë kurrë kompromis me nderin e shtetit”, u shpreh presidenti iranian.
Gjatë një vizite në transmetuesin shtetëror IRIB, ai deklaroi se Irani është i gatshëm të japë garanci ndërkombëtare se programi bërthamor iranian ka vetëm qëllime paqësore.
“E kemi thënë vazhdimisht dhe e përsërisim sërish: Nuk kërkojmë armë bërthamore dhe nuk duam trazira në rajon. Është regjimi izraelit ai që ushqen konfliktet dhe paqëndrueshmërinë për interesat e veta”, tha Pezeshkian.
Deklaratat e presidentit iranian vijnë në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se një marrëveshje me Iranin për uljen e tensioneve është pothuajse e dakorduar dhe pritet të finalizohet.
Rajoni ka përjetuar tensione të forta muajt e fundit pas përplasjesh ushtarake mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, situatë që çoi edhe në mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë.






















