Ushtria izraelite ka rrezikuar të shkaktojë një incident të rëndë pasi mbrëmjen e së enjtes hapi zjarr ndaj një objekti fluturues që besohej se ishte dron, por që më pas rezultoi të ishte një avion civil. Sipas raportimit të gazetës izraelite Times of Israel, alarmi u dha nga kolonët në vendbanimin hebre Beit El në Bregun Perëndimor, të cilët raportuan praninë e mjeteve fluturuese që po kalonin në lartësi të ulët mbi zonë.
Pas sinjalizimit, një njësi ushtarake u dërgua në terren dhe, duke besuar se kishte identifikuar një dron të dyshuar me eksploziv, hapi zjarr. Fatmirësisht, objektivi nuk u godit. Më vonë u zbulua se gjatë asaj dite korridori ajror i avionëve që mbërrijnë në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit ishte zhvendosur drejt lindjes, duke detyruar avionët civilë të fluturonin mbi zonën e Beit El në një lartësi rreth 1.5 kilometra. Ndryshimi i itinerarit ishte komunikuar vetëm pak para incidentit dhe dyshohet se informacioni nuk kishte arritur në kohë te njësitë ushtarake në terren.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po hetojnë edhe një mundësi tjetër: që raportimet fillestare të kenë qenë shkaktuar nga një dron i policisë izraelite që po fluturonte në zonë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te autoritetet e sigurisë ajrore, veçanërisht në një kohë kur disa kompani ndërkombëtare po shqyrtojnë rikthimin e fluturimeve drejt Tel Avivit dhe po kërkojnë masa shtesë sigurie.






















