Një ish-zyrtar i lartë i qeverisë amerikane është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi agjentët e FBI-së zbuluan qindra shufra ari me vlerë mbi 40 milionë dollarë në shtëpinë e tij në Virxhinia.
Sipas “New York Times”, Rush deri vonë ka mbajtur një pozicion të lartë në CIA. Ai u arrestua dhe aktualisht mbahet në paraburgim deri në seancën dëgjimore që pritet të zhvillohet këtë javë, ndërsa avokati i tij nuk ka pranuar të komentojë mbi rastin.
Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Rush kishte akses në informacione tepër sekrete dhe ishte i autorizuar të menaxhonte materiale të klasifikuara. Ai akuzohet gjithashtu për deklarim të rremë mbi arsimin dhe shërbimin ushtarak gjatë aplikimeve për pozicione qeveritare, si dhe për përfitim të paligjshëm të pagesave dhe lejeve ushtarake me vlerë mijëra dollarë.
Sipas hetimeve, Rush ka punuar si drejtues i lartë në një agjenci qeveritare në Virxhinia. FBI njoftoi se arrestimi u krye më 19 maj, pas një referimi nga vetë CIA.
Dokumentet e çështjes tregojnë gjithashtu se midis nëntorit 2025 dhe marsit 2026, ai i kishte kërkuar qeverisë amerikane “sasi të konsiderueshme valutash të huaja dhe dhjetëra miliona dollarë në shufra ari” për qëllime biznesi, të cilat më pas dyshohet se i ka marrë.
Gjatë hetimit të brendshëm, CIA nuk ka arritur të gjejë gjurmë të shufrave të arit apo valutës së huaj që i ishin dhënë Rush-it. Autoritetet thanë se nuk ekzistojnë të dhëna të qarta që shpjegojnë fatin e këtyre fondeve.
FBI më pas kreu kontroll në shtëpinë e tij në Virxhinia më 18 maj, ku u sekuestruan rreth 303 shufra ari, secila me peshë rreth një kilogram, me një vlerë totale që kalon 40 milionë dollarë. Dokumentet nuk sqarojnë ende pse Rush i mbante këto pasuri në banesën e tij.






















