Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, ka konfirmuar se Izraeli është përfshirë në listën e Kombeve të Bashkuara për palët e dyshuara për dhunë seksuale në zonat e konfliktit, duke e cilësuar vendimin si “politik” dhe “të shkëputur nga faktet dhe realiteti”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Danon deklaroi se Izraeli kishte paraqitur prova, dokumente dhe përgjigje të detajuara përballë akuzave, si edhe kishte ftuar përfaqësues të OKB-së të verifikonin situatën në terren, por sipas tij kjo ishte refuzuar.
Sipas mediave izraelite, në listë përfshihen Shërbimi i Burgjeve të Izraelit dhe institucione të tjera shtetërore. Deri tani, OKB-ja nuk ka publikuar zyrtarisht të gjithë përmbajtjen e listës apo subjektet e përfshira në të.
Raporte të ndryshme të mediave ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut kanë ngritur prej muajsh akuza për dhunë, keqtrajtim dhe abuzime seksuale ndaj palestinezëve të ndaluar nga autoritetet izraelite, veçanërisht pas nisjes së luftës në Gaza.
Një paralajmërim për mundësinë e përfshirjes së Izraelit në këtë listë ishte bërë publik që në vitin 2025 nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili kishte shprehur “shqetësim serioz” për informacionet mbi abuzimet ndaj të ndaluarve palestinezë.






















