
Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë si “të pavërtetë” dhe “një trillim të plotë” raportin e transmetuar nga media shtetërore iraniane lidhur me një draft-memorandum mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iranit për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit.
Zëdhënës të administratës amerikane deklaruan se dokumenti i publikuar nga mediat iraniane nuk është autentik dhe se “askush nuk duhet t’u besojë” këtyre raportimeve, duke i cilësuar ato si dezinformim.
Sipas pretendimeve të mediave iraniane, drafti parashikonte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat pranë Iranit dhe heqjen e bllokadave detare, në këmbim të garantimit të qarkullimit të lirë të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë se negociatat janë ende në proces dhe se çdo marrëveshje e mundshme do të bazohet në vijat e kuqe të përcaktuara nga Presidenti Donald Trump, përfshirë ndalimin e çdo programi bërthamor iranian.
Sipas raportimeve të cituara nga Reuters, drafti i përmendur nga media iraniane përfshinte edhe një mekanizëm të përbashkët mes Iranit dhe Omanit për menaxhimin e lundrimit në ngushticë, por këto pretendime nuk janë konfirmuar nga Uashingtoni.
Shtëpia e Bardhë ritheksoi se qëndrimi zyrtar i SHBA-së mbetet i pandryshuar dhe se çdo marrëveshje eventuale duhet të kalojë përmes procesit diplomatik dhe miratimeve ndërkombëtare.






















