Italia po përballet me kulmin e valës së parë të jashtëzakonshme të të nxehtit për vitin 2026, ndërsa temperaturat vijojnë të rriten sidomos në veri dhe qendër të vendit.
Sipas buletinit të fundit të Ministrisë italiane të Shëndetësisë, nesër do të shpallet alarm i kuq në katër qytete: Romë, Firence, Torino dhe Bolonja. Ndërkohë, sot 14 qytete janë nën alarm portokalli, mes tyre Milano, Venecia, Verona dhe Trieste.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 35 gradë në Milano dhe Firence, 34 në Bolonja dhe 33 në Torino.
Vala e të nxehtit ka goditur edhe vende të tjera europiane si Franca, Spanja, Holanda dhe Britania e Madhe, ku autoritetet po raportojnë viktima, probleme shëndetësore dhe incidente tragjike.
Në Francë janë regjistruar shtatë viktima të lidhura me temperaturat ekstreme, ndërsa në Britaninë e Madhe katër fëmijë janë mbytur gjatë ditëve të fundit, pasi u futën në ujë për t’u freskuar. Një 60-vjeçar humbi jetën në Cornwall teksa përpiqej të shpëtonte familjarët e tij në det.
Në Londër temperaturat kanë arritur deri në 35 gradë, nivele rekord për muajin maj, ndërsa Scotland Yard i ka cilësuar netët e fundit si “netë tropikale”, me temperatura që nuk zbresin nën 20 gradë.
Meteorologët britanikë dhe ekspertët e klimës e lidhin drejtpërdrejt këtë fenomen ekstrem me ndryshimet klimatike globale, ndërsa në Francë parashikohen temperatura që mund të afrohen deri në 40 gradë gjatë javës.






















