Bota 26 May 2026, 14:12 Nga VNA

Kush është Ozgur Ozel, politikani pa shumë karizëm që po shndërrohet në problemin e ri të Erdoganit

Ndaje në Whatsapp
Kush është Ozgur Ozel, politikani pa shumë karizëm që

Deri pak muaj më parë, Ozgur Ozel dukej si një figurë kalimtare në krye të CHP-së, partisë historike të themeluar nga Mustafa Qemal Ataturku. Një politikan korrekt, burokratik dhe pa shumë karizëm, i destinuar të jetonte në hijen e Ekrem Imamoglut, kryebashkiakut të Stambollit dhe rivalit më të fortë të Recep Tayyip Erdogan.

Por arrestimi i Imamoglut dhe ofensiva e drejtësisë turke kundër opozitës duket se po prodhojnë efektin e kundërt nga ai që priste pushteti.

Ozel po shfaqet gjithnjë e më shumë si fytyra e re e rezistencës kundër Erdoganit.

Dje tensioni arriti kulmin kur policia turke hyri me forcë në selinë qendrore të CHP-së në Stamboll dhe shpërndau protestuesit me gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe dhunë fizike.

Shkaku ishte një vendim shumë i debatueshëm i Gjykatës së Apelit, e cila anuloi kongresin e vitit 2023 — kongresin që solli në krye Ozgur Ozelin — dhe riktheu si lider ish-kryetarin Kemal Kilicdaroglu, politikani që humbi përballë Erdoganit dhe që më pas u la në hije nga vetë partia.

Zyrtarisht, Erdogani nuk ka lidhje me vendimin. Por për opozitën turke bëhet fjalë për një operacion politik të menaxhuar nga gjyqtarë dhe prokurorë pranë AKP-së.

Dhe pikërisht aty nisi transformimi politik i Ozelit.

Ndërsa policia shpërndante militantët, ai nuk u tërhoq. Përkundrazi, marshoi për kilometra drejt Parlamentit nën shi, i lagur plotësisht, por duke refuzuar të largohej nga rruga. Pamjet e tij të mbuluar nga shiu janë kthyer tashmë në simbol për militantët e CHP-së.

“Që sot partia zhvendoset në sheshe”, deklaroi ai para turmës, ndërsa akuzoi drejtpërdrejt Erdoganin se po përpiqet të zgjedhë vetë rivalët e tij politikë për zgjedhjet e ardhshme.

Ironia më e madhe është se në këtë krizë rol kyç po luan vetë Kilicdaroglu, ish-lideri që kërkon të rikthehet në krye të partisë me ndihmën e vendimeve gjyqësore dhe ndërhyrjes së policisë.

Kjo i ka dhënë Erdoganit mundësinë ta paraqesë krizën si një konflikt të brendshëm opozitar. Por analistët turq thonë se realiteti është krejt tjetër.

Sipas profesorit Murat Somer, rreth 95% e votuesve të CHP-së mbështesin drejtimin aktual të Ozelit, ndërsa shumica e opinionit publik e konsideron ofensivën ndaj partisë si politike.

Ndërkohë, Imamoglu vazhdon të mbetet në burg me akuza për korrupsion, në një proces që opozita e konsideron të orkestruar për ta nxjerrë jashtë garës presidenciale të vitit 2028.

Por ajo që nisi si një operacion për të dobësuar opozitën, po prodhon një efekt tjetër: CHP-ja po del nga kriza me një lider më të ashpër, më luftarak dhe më të gatshëm për përballje direkte me Erdoganin.

Dhe kjo mund të jetë pikërisht ajo që presidenti turk nuk kishte llogaritur.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme