Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, raportohet se ndodhet i strehuar në një lokacion sekret dhe të izoluar, me qasje shumë të kufizuar ndaj botës së jashtme. Kështu kanë deklaruar zyrtarë amerikanë për mediumin amerikan CBS, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës amerikane.
Sipas këtyre burimeve, vendndodhja ku po qëndron Khamenei është e organizuar në mënyrë të tillë që ai të mund të arrihet vetëm përmes një “labirinti”, çka nënkupton masa të jashtëzakonshme sigurie dhe fshehtësie rreth liderit iranian.
Raportimet vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas spekulimeve të shumta mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe lëvizjet e fundit të udhëheqjes iraniane.
Ndërkohë, menjëherë pasi mori detyrën në fillim të muajit mars, mediat shtetërore iraniane raportuan se Khamenei ishte plagosur gjatë sulmeve ajrore izraelito-amerikane që goditën Teheranin. Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me gjendjen e tij apo vendndodhjen aktuale.






















