Politikanët amerikanë janë shfaqur të ndarë në qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen e mundshme me Iranin, teksa republikanët në pjesën më të madhe e kanë përshëndetur atë, ndërsa demokratët e kanë kritikuar ashpër.
Senatori demokrat Chris Van Hollen deklaroi për Fox News se drafti i raportuar i marrëveshjes nuk sjell asgjë të re dhe i ngjan “status quo-së para luftës” me Iranin. Sipas tij, kjo qasje përbën një “gabim”.
“Kur hap një gropë, duhet të ndalosh së gërmuari dhe duket se më në fund po e kuptojmë këtë”, u shpreh ai, raportojnë mediat amerikane.
Edhe senatori demokrat Cory Booker kritikoi presidentin amerikan Donald Trump, duke deklaruar në CNN se ai është “manipuluar” në negociata dhe se situata aktuale është më e keqe se më parë.
Në anën tjetër, republikani Mike Lawler mbrojti qasjen e Trump ndaj Iranit. Në një intervistë për CBS News, ai tha se presidenti amerikan ka arritur ta detyrojë Teheranin të hyjë në negociata serioze “për herë të parë pas 47 vitesh”.
Megjithatë, jo të gjithë republikanët janë në një linjë me Trumpin. Senatori Thom Tillis, i njohur për kritikat ndaj presidentit amerikan, ngriti pikëpyetje mbi ndryshimin e qëndrimit të administratës.
Ai kujtoi deklaratat e mëhershme të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas të cilave Irani ishte pranë humbjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe se çështja e materialit bërthamor ishte drejt fundit.
“Tani po flasim për një marrëveshje ku materiali bërthamor mund të mbetet në Iran. Si ka kuptim kjo?”, tha Tillis për CNN.






















