Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përmes platformës “Truth Social” lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke e cilësuar marrëveshjen e vitit 2015 si “një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë nga vendi ynë”.
Ai ka kritikuar administratën e ish-presidentit Barack Obama, duke deklaruar se ajo marrëveshje, sipas tij, i hapte rrugën Iranit drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
Trump thekson se negociatat aktuale të administratës së tij po zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe konstruktive, por nënvizon se Shtetet e Bashkuara nuk do të nxitohen për një marrëveshje të re pa një zgjidhje të plotë dhe të sigurt.
Ai shton gjithashtu se kufizimet ndaj Iranit do të mbeten në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, duke përsëritur qëndrimin se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.






















