
Papa i ri Papa Leoni XIV ka publikuar enciklikën e tij të parë me titull “Magnifica Humanitas”, një dokument i gjatë prej 231 faqesh ku paralajmëron për rreziqet që inteligjenca artificiale paraqet për njerëzimin, demokracinë, punën, të rinjtë dhe vetë dinjitetin njerëzor.
Në dokumentin e prezantuar sot në Vatikan, Papa i lindur në Çikago dhe i diplomuar në matematikë bën thirrje që inteligjenca artificiale të “çarmatoset”, të mos trajtohet si shpëtim teknik për njerëzimin dhe të vendosen kufij ndaj pushtetit të madh të kompanive teknologjike.
“Duhet të mbetemi thellësisht njerëzorë”, shkruan Papa, duke paralajmëruar për “forma të reja çnjerëzimi” që mund të krijohen nga teknologjia digjitale.
Enciklika kritikon hapur përqendrimin e pushtetit “në duart e pak njerëzve”, duke iu referuar gjigandëve të teknologjisë dhe ndikimit që ata kanë mbi informacionin, ekonominë, algoritmet dhe proceset demokratike.
Sipas Papës, “nuk mjafton një inteligjencë artificiale më morale, nëse morali vendoset nga pak njerëz”.
Dokumenti ngre shqetësime edhe për ndikimin e IA-së në luftë, propagandë, dezinformim dhe kontrollin social. Papa paralajmëron se teknologjia mund të ulë “pragun moral të konfliktit”, sidomos kur përdoret për armë autonome apo manipulim informacioni.
Në enciklikë kritikohet edhe filozofia e “transhumanizmit”, që synon tejkalimin e kufijve biologjikë të njeriut përmes teknologjisë. Papa paralajmëron se kjo qasje rrezikon ta trajtojë njeriun si “material për t’u përmirësuar”, duke justifikuar sakrificën e më të dobëtve në emër të progresit.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet të rinjve dhe varësisë nga teknologjia. Papa kërkon më shumë kontroll ndaj përdorimit të telefonave dhe rrjeteve sociale nga fëmijët, duke paralajmëruar për izolim, bullizëm dhe dëme emocionale.
Ai bën thirrje edhe për “agjërim nga inteligjenca artificiale”, përdorim më të kujdesshëm të teknologjisë dhe ngadalësim të adoptimit të saj.
Enciklika “Magnifica Humanitas” konsiderohet si një nga dokumentet më të forta të publikuara ndonjëherë nga Vatikani mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.






















