
Në Japoni, macet nuk janë thjesht kafshë shtëpiake. Ato janë kulturë, biznes, turizëm dhe pothuaj një filozofi jetese.
Nga librat bestseller dhe kafenetë me mace, deri te ishujt e famshëm të mbushur me felinë dhe statujat tradicionale “maneki-neko” që besohet se sjellin fat, ndikimi i maceve është bërë aq i madh sa ekonomistët japonezë kanë shpikur një term të ri: “catnomics”.
Sipas një raporti të fundit, macet pritet t’i sjellin ekonomisë japoneze rreth 3 trilionë jenë (afro 19 miliardë dollarë) vetëm gjatë vitit 2026.
Në Tokio ekziston madje edhe një “qytet i maceve”, Yanaka Ginza, ku turistët shkojnë për ëmbëlsira në formë maceje, suvenire dhe atmosferën e lidhur me simbolikën feline që ka pushtuar kulturën japoneze.
Macet kanë një histori të gjatë në Japoni. Besohet se u sollën nga Kina gjatë periudhës Nara (710-794), fillimisht për të mbrojtur tekstet fetare në tempuj nga brejtësit. Me kalimin e kohës ato fituan status pothuaj mistik dhe u kthyen në simbol qetësie, fati dhe harmonie.
Në letërsinë japoneze ato janë po aq të pranishme. Nga romani klasik “Unë jam një mace” i Natsume Sōseki, te librat surrealistë të Haruki Murakamit, macja është bërë një figurë ikonike e imagjinatës japoneze.
Sot në Japoni ka më shumë mace dhe qen shtëpiakë sesa fëmijë nën 15 vjeç. Vetëm në vitin 2025, familjet japoneze mbanin rreth 8.8 milionë mace.
Madje edhe familja perandorake dhe politikanë të lartë japonezë njihen si adhurues të maceve.
Ekspertët thonë se japonezët admirojnë te macet atë qetësi dhe shkëputje “Zen” që njerëzit përpiqen ta arrijnë gjatë gjithë jetës.
Dhe për momentin, në Japoni, duket se macet jo vetëm kanë fituar zemrat e njerëzve, por edhe ekonominë.























