
Në kohën kur shumë artistë globalë zgjedhin heshtjen për të mos rrezikuar kontratat, sponsorizimet apo raportet me korporatat, Dua Lipa ka zgjedhur diçka tjetër: të flasë.
Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën atë shumë më tepër sesa një artiste të suksesshme, të bukur dhe me miliona fansa.
Fotot dhe faktet e publikuara tregojnë një profil publik që nuk ndërtohet vetëm mbi muzikën, koncertet apo tapetin e kuq. Nga mbështetja për Palestinën dhe kritikët ndaj trajtimit të çështjes Epstein, deri te paditë kundër korporatave të mëdha dhe angazhimi humanitar në Ukrainë e Gaza, Dua Lipa duket se ka zgjedhur të mos mbetet neutrale.
Ajo ka folur hapur për Gazën, duke e quajtur situatën “gjenocid”, ndërsa ka firmosur letra publike dhe ka mbështetur thirrjet për ndalimin e shitjes së armëve ndaj Izraelit. Një qëndrim që në industrinë globale të argëtimit shpesh shihet si i rrezikshëm për karrierën.
Po aq e drejtpërdrejtë ka qenë edhe kritika e saj ndaj mënyrës si mediat trajtuan çështjen Jeffrey Epstein, duke e konsideruar reduktimin e saj në thashetheme celebrity-sh si një shmangie nga realiteti i trafikimit dhe abuzimit.
Në të njëjtën kohë, artistja me origjinë shqiptare ka përdorur famën e saj edhe për kauza humanitare. Ka mbledhur fonde për organizata që ndihmojnë civilët e zhvendosur në Ukrainë dhe Gaza, ndërsa përmes fondacionit “Sunny Hill”, të krijuar me babanë e saj në Kosovë, ka investuar në të rinjtë, artin dhe komunitetin.
Madje, sipas pretendimeve që qarkulluan në rrjetet sociale, publikimi falas në YouTube i koncertit të saj u interpretua nga shumë ndjekës si refuzim i marrëveshjeve me platforma të mëdha për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj Izraelit, edhe pse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në një epokë ku shumë personazhe publikë menaxhohen si marka sterile, Dua Lipa duket se po ndërton një profil tjetër: një figurë globale që nuk kërkon vetëm duartrokitje, por edhe të marrë pozicion.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse për shumë njerëz ajo nuk është thjesht një yll popi. Por një nga zërat më të dukshëm të një brezi që nuk dëshiron më të ndajë famën nga ndërgjegjja.






















