
Izraeli ka intensifikuar ofensivën ushtarake në Liban dhe në Rripin e Gazës, duke nisur operacione të reja tokësore dhe ajrore. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se veprimet ushtarake do të zgjerohen edhe përtej të ashtuquajturës “Zonë e Verdhë”.
Sipas burimeve izraelite, forcat e IDF-së kanë goditur më shumë se 150 objektiva të Hezbollahut në jug të Libanit gjatë ditëve të fundit.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Liban raportoi mbi 30 viktima brenda një dite, ndërsa numri i të plagosurve nga përshkallëzimi i konfliktit në dy muajt e fundit ka kaluar 200 persona.
Ushtria izraelite ka lëshuar gjithashtu urdhra evakuimi për disa zona në jug të Libanit, duke u kërkuar banorëve të zhvendosen drejt veriut për arsye sigurie.
Ndërkohë, në Gaza vijojnë operacionet kundër Hamasit, me sulme ajrore, ofensiva tokësore dhe goditje ndaj infrastrukturës nëntokësore. Burime izraelite pretendojnë se janë eliminuar edhe drejtues të grupit, ndërsa burime palestineze raportojnë për viktima civile.
Ministri izraelit i Mbrojtjes ka bërë të ditur se operacionet do të vazhdojnë, ndërsa po shqyrtohen edhe plane të reja për Gazën, përfshirë masa që lidhen me zhvendosjen e popullsisë.
Përshkallëzimi i situatës vjen në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim mbeten në ngërç dhe perspektiva për një marrëveshje paqeje vazhdon të jetë e paqartë.






















