
Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ri ndaj Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar me “përgjigje vendimtare” në rast të sulmeve të reja ndaj territorit iranian, pas zhvillimeve të fundit ushtarake në rajon.
Në një deklaratë të publikuar në faqen Sepah News, Garda paralajmëroi se çdo përsëritje e sulmeve do të përballej me një reagim të ashpër, ndërsa akuzoi edhe Izraelin, duke e cilësuar atë si përgjegjës për tensionet në Lindjen e Mesme dhe duke përdorur gjuhë të fortë ndaj tij.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për përpjekje destabilizuese brenda vendit, të cilat sipas tij synojnë të kompensojnë “dështimet ushtarake”. Në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore, ai bëri thirrje për unitet kombëtar përballë presioneve të jashtme.
Në një zhvillim paralel, Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, pritet të vizitojë Uashingtonin, ku do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Lindjen e Mesme, në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje paqeje mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Nga ana tjetër, Kuvajti ka dënuar sulmet me raketa dhe dronë në territorin e tij, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit dhe një përshkallëzim serioz të situatës së sigurisë. Ministria e Jashtme kërkoi ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe mbajti përgjegjës palën iraniane.
Sulmi ndaj një baze amerikane në Kuvajt u konfirmua edhe nga CENTCOM, i cili e cilësoi atë si shkelje të kushteve të armëpushimit.
Në të njëjtën linjë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Arabia Saudite dënuan sulmin, duke shprehur solidaritet me Kuvajtin dhe duke e konsideruar atë shkelje të sovranitetit. Emiratet e Bashkuara Arabe përmendën drejtpërdrejt Iranin si përgjegjës për “sulme terroriste”.
Edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dënoi sulmet, duke i cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, dhe theksoi mbështetjen e plotë për Kuvajtin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të tij.






















