Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet ndaj Francesca Albanese, ekspertes së Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze, e cila është bërë një nga zërat më kritikë ndaj Izraelit për luftën në Gaza.
Vendimi vjen pasi një gjykatë apeli anuloi një masë të mëparshme që ndalonte ndërmarrjen e këtij veprimi. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e Departamentit amerikan të Thesarit, emri i Albaneses është rifutur në listën globale të personave të sanksionuar, duke i kufizuar përdorimin e kartave kryesore të kreditit dhe kryerjen e transaksioneve bankare.
Albanese, shtetase italiane dhe raportuese speciale e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, ka qenë ndër kritikët më të ashpër të trajtimit që Izraeli u ka bërë palestinezëve gjatë ofensivës ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamas më 7 tetor 2023.
Masa e Thesarit amerikan erdhi pasi të premten një gjykatë apeli vendosi pezullim administrativ të një vendimi të mëparshëm, ndërsa shqyrton në themel çështjen. Procesi gjyqësor është nisur nga bashkëshorti i saj, Massimiliano Cali, në emër të djalit të tyre të mitur, i cili është shtetas amerikan.
Kur shpalli sanksionet ndaj saj në korrik të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Albanese kishte “përhapur antisemitizëm të hapur, kishte shfaqur mbështetje për terrorizmin dhe përçmim ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Perëndimit”. Albanese i ka mohuar vazhdimisht akuzat për antisemitizëm, të cilat janë ngritur edhe nga Izraeli.






















