
Bashkimi Europian ka gjobitur me 200 milionë euro platformën kineze të shitjeve online Temu, pasi sipas autoriteteve europiane kompania nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar shitjen e produkteve të paligjshme dhe të rrezikshme në platformën e saj.
Vendimi u bë publik nga Komisioni Europian pas një hetimi gati dyvjeçar në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), ligji i ri europian që detyron platformat e mëdha online të kontrollojnë më fort përmbajtjet dhe produktet e paligjshme. Sipas hetimit, konsumatorët europianë ishin të ekspozuar ndaj produkteve të rrezikshme si lodra për fëmijë me substanca toksike, karikues elektrikë të pasigurt dhe bizhuteri me përmbajtje plumbi.
Komisioni Europian akuzon Temu se ka dështuar të identifikojë dhe vlerësojë si duhet rreziqet që vijnë nga produktet e paligjshme të shitura në platformë. Gjithashtu, nën kritika kanë qenë edhe sistemet e rekomandimeve dhe promovimeve të kompanisë, të cilat sipas Brukselit kanë ndihmuar në shpërndarjen më të gjerë të produkteve problematike.
Kjo është një nga gjobat më të mëdha të vendosura deri tani sipas rregullave të reja digjitale të BE-së. Temu ka reaguar duke e quajtur masën “jo proporcionale” dhe ka lënë të hapur mundësinë e apelimit të vendimit.
Platformës i është kërkuar të paraqesë deri në fund të gushtit një plan konkret masash për të shmangur produkte të tilla në të ardhmen, ndërsa hetimet ndaj kompanisë për shkelje të tjera vazhdojnë.






















