
Gazetarja palestineze Ruwaida Amer ka treguar se dokumentari i saj “Children of Gaza”, i realizuar për ABC News, fitoi çmimin prestigjioz Emmy, por ajo nuk mundi të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve pasi Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë vizë hyrjeje.
Amer, e cila për muaj me radhë raportoi nga Gaza gjatë luftës, tha se dokumentari tregon historitë e fëmijëve që u bënë viralë në Instagram duke dokumentuar jetën e tyre mes bombardimeve. Ajo rrëfen se xhirimet u realizuan në kushte ekstreme, mes urisë, lodhjes dhe sulmeve ajrore, ndërsa së bashku me operatorin Ahmed Al-Danf duhej të ecnin kilometra të tëra për të arritur në zonat e xhirimit, pasi nuk kishte mjete transporti.
Sipas saj, puna me fëmijët ishte emocionalisht e fortë dhe autentike, ndërsa çdo lëvizje gjatë xhirimeve shoqërohej nga frika e bombardimeve. “I dërgoja familjes mesazhe me vendndodhjen time që të mos më linin vetëm në rast nevoje”, rrëfen gazetarja palestineze.
Ajo thotë se fitorja e Emmy-t është një njohje për vuajtjen e Gazës dhe për historitë e fëmijëve palestinezë. Megjithatë, pavarësisht suksesit ndërkombëtar të dokumentarit, autoritetet amerikane nuk i dhanë mundësinë të udhëtonte drejt SHBA për të qenë e pranishme në ceremoninë ku filmi i saj u vlerësua me një nga çmimet më të rëndësishme të gazetarisë televizive.






















