
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish lidhur me tensionet me Iranin, duke deklaruar se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me bashkëpunëtorët e tij më të afërt për të marrë “vendimin përfundimtar”.
Në deklaratën e tij, Trump renditi një sërë kërkesash të Uashingtonit ndaj Teheranit, ku më kryesoret mbeten hapja e Ngushticës së Hormuzit dhe kontrolli mbi uraniumin e pasuruar iranian.
Sipas presidentit amerikan, Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për lundrim të lirë dhe pa tarifa në të dy drejtimet, ndërsa minat detare iraniane duhet të neutralizohen plotësisht për të garantuar sigurinë e transportit detar.
“Shumë mina janë shkatërruar tashmë nga forcat amerikane dhe nuk kanë mbetur shumë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se anijet e bllokuara në Gjirin Persik do të lejohen të vazhdojnë drejt destinacioneve të tyre sapo të hiqet bllokada detare.
Trump deklaroi gjithashtu se SHBA synon të marrë nën kontroll uraniumin e pasuruar të Iranit, i cili sipas tij ndodhet në objektet nëntokësore të bombarduara nga ushtria amerikane verën e kaluar.
Në postimin e tij, presidenti amerikan theksoi:
“Irani duhet të pranojë se nuk do të zhvillojë kurrë armë apo bomba bërthamore. Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet menjëherë për lundrim të pakufizuar. Tani do të takohem në Sallën e Operacioneve për të marrë vendimin përfundimtar.”






















