Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Kinën për kryerjen e asaj që e cilësoi si “shkeljen më të madhe të të dhënave zgjedhore në histori”, duke pretenduar se Pekini ka siguruar në mënyrë të paligjshme informacionet personale të rreth 220 milionë votuesve amerikanë. Në një fjalim drejtuar kombit, ai deklaroi se sistemi zgjedhor amerikan është “i komprometuar dhe i pambrojtshëm”, ndërsa njoftoi deklasifikimin e dokumenteve të inteligjencës që, sipas tij, provojnë cenueshmërinë e zgjedhjeve.
Sipas Trump, të dhënat e përfituara nga Kina përfshijnë emra, adresa, numra telefoni, preferenca politike dhe informacione të tjera të ndjeshme që lidhen me regjistrimin e votuesve. Ai pretendoi gjithashtu se autoritetet kineze kanë ngritur një njësi të posaçme për analizimin e këtyre të dhënave.
Megjithatë, sipas The New York Times, dokumentet e deklasifikuara nuk mbështesin plotësisht pretendimet e presidentit. Gazeta raporton se Kina ka pasur akses vetëm në regjistra zgjedhorë publikë, të cilët janë të disponueshëm ligjërisht, dhe nuk ka prova se ato janë përdorur për të ndikuar në procesin zgjedhor. Raportet e inteligjencës, sipas medias amerikane, arrijnë në këtë përfundim, edhe pse një vlerësim i pakicës sugjeronte se Pekini nuk favorizonte rizgjedhjen e Trump në vitin 2020.
Në fjalimin rreth 25-minutësh, Trump përsëriti edhe pretendimet për manipulime zgjedhore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, pavarësisht se ato janë rrëzuar më herët nga gjykatat amerikane. Ai kritikoi votimin me postë, pretendoi se rreth 278 mijë jo-shtetas janë regjistruar për të votuar dhe përmendi edhe aftësinë e regjimit të Nicolas Maduros për të manipuluar zgjedhjet në Venezuelë.
Fjalimi nuk u transmetua drejtpërdrejt nga ABC, NBC dhe CNN. Trump i akuzoi këto televizione për censurë dhe paralajmëroi se mund t’u hiqet licenca. Edhe Fox News, e cila e transmetoi të plotë, sqaroi se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet e presidentit.
Sipas kritikëve, qëllimi i fjalimit ishte të krijonte perceptimin e një emergjence për sigurinë zgjedhore, të mobilizonte bazën elektorale MAGA, të ushtronte presion për miratimin e ligjit “Save America Act” dhe të përgatiste terrenin për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit në rast humbjeje.






















