
Situata është tensionuar përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku kanë nisur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës kombëtare kundër qeverisë.
Fillimisht ishin disa të rinj, të cilët dogjën koshat e mbeturinave dhe filluan të hedhin gurë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit. Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Studentët dhe të rinjtë u ndanë në disa drejtime, disa në qendër, në Sheshin Skënderbej dhe disa në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë mbledhur këtë të shtunë në protestën kombëtare, e cila zhvillohet në ditën e 12-të të mobilizimit kundër qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin e bëjnë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.






















