
Protesta kombëtare kundër qeverisë është shoqëruar me tensione edhe përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Situata është tensionuar në momentin kur një numër i madh protestuesish kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, por janë penguar nga forcat e rendit.
Policia ka nxjerrë në terren autobotët e ujit dhe ka përdorur gaz lotsjellës për të ndaluar avancimin e turmës. Pavarësisht ndërhyrjes, protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë përballë efektivëve, duke refuzuar të tërhiqen.
Sipas raportimeve nga terreni, gaz lotsjellës është përdorur edhe në afërsi të Ministrisë së Brendshme, ku nuk janë raportuar përplasje në momentin e ndërhyrjes.






















