Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore PLOS Medicine, tregon se rreziku për obezitet tek fëmijët lidhet kryesisht me trashëgiminë gjenetike dhe jo me peshën e nënës para ose gjatë shtatzënisë, siç është menduar prej kohësh.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 86 mijë fëmijëve norvegjezë, duke ndjekur zhvillimin e tyre nga lindja deri në moshën 8-vjeçare. Përmes modeleve statistikore që krahasuan binjakë, vëllezër, motra dhe gjysmëvëllezër, ata arritën të dallonin ndikimin e gjeneve nga ai i mjedisit gjatë shtatzënisë.
Rezultatet treguan se pesha e nënës ndikon në peshën e foshnjës në lindje, por jo në rrezikun afatgjatë për obezitet. Në moshën 8-vjeçare, faktorët gjenetikë shpjegonin rreth 79% të lidhjes mes indeksit të masës trupore të nënës dhe fëmijës, ndërsa për baballarët kjo përqindje arrinte në 94%.
Megjithatë, autorët theksojnë se gjenet nuk janë një dënim. Edhe personat me predispozitë gjenetike mund të shmangin obezitetin nëse ndjekin një stil jetese të shëndetshëm, me ushqyerje të ekuilibruar dhe aktivitet fizik që në fëmijëri.
Studiuesit shtojnë se kontrolli i peshës gjatë shtatzënisë mbetet i rëndësishëm për shëndetin e nënës dhe foshnjës, edhe pse nuk duket se ndikon drejtpërdrejt në rrezikun e obezitetit të fëmijës në moshë më të madhe.






















