Ka kaluar luftën, ka përjetuar dëbimin nga Istria, ka humbur vajzën e saj 28-vjeçare, ka kaluar më shumë se një dekadë duke u kujdesur për bashkëshortin e sëmurë dhe është rrëzuar tri herë duke thyer femurin. Megjithatë, në moshën 96-vjeçare, Licia Fertz është kthyer në një nga figurat më frymëzuese në rrjetet sociale.
Jeta e saj ndryshoi sërish kur ishte 88 vjeçe. Nipi i saj, Emanuele Usai, i hapi një profil në Instagram me fjalët: “A ka vend në Instagram për një vajzë 88-vjeçare?”. Përgjigjja ishte e jashtëzakonshme. Sot Licia ndiqet nga më shumë se 340 mijë persona dhe në vitin 2023 u përfshi nga BBC në listën e 100 grave më me ndikim në botë.
Licia thotë se nuk beson shumë te fjala “reziliencë”. Për të, sekreti është shumë më i thjeshtë: “Është thjesht zakoni për të rifilluar”.
Pas humbjes së vajzës së saj Marina në vitin 1989, ajo rriti nipin si djalin e saj. Më pas kaloi mbi dhjetë vjet duke u kujdesur për bashkëshortin Aldo deri në vdekjen e tij. Pas humbjes së tij, u përball me vetminë dhe depresionin, por ishte pikërisht nipi që e ndihmoi të rikthehej në jetë.
Edhe pas tri frakturave të femurit, Licia nuk u dorëzua. Ajo mësoi sërish të ecte, vazhdoi të udhëtojë dhe të ndajë mesazhe shprese me ndjekësit e saj.
Filozofia e saj për jetën është e thjeshtë: mos u ndal te humbjet, por kërko gjithmonë një arsye për t’u ngritur. “Pleqëria nuk është faj dhe rinia nuk është meritë. Janë vetëm stinë të jetës”, thotë ajo.
Mesazhi i saj për të gjithë është po aq i thjeshtë sa edhe i fuqishëm: “Nuk është kurrë vonë për të filluar nga e para. Duhet të ngrihesh, të vendosësh buzëkuqin dhe të dalësh nga shtëpia.”






















