Temperaturat e larta mund të shkaktojnë lodhje, por mjekët paralajmërojnë se jo çdo rraskapitje është pasojë e vapës. Nëse lodhja vazhdon për javë të tëra ose shoqërohet me simptoma të tjera, mund të jetë shenjë e një problemi me tiroiden.
Sipas endokrinologut Carlo Cappelli, profesor në Universitetin e Brescias, vera është një periudhë kur çrregullimet e tiroides mund të bëhen më të dukshme. Në rastin e hipotiroidizmit, simptomat si lodhja, përgjumja, vështirësia në përqendrim, ndryshimet e humorit, shtimi i pashpjegueshëm në peshë, ndryshimet në rrahjet e zemrës, si edhe problemet me lëkurën dhe flokët nuk duhen nënvlerësuar.
Mjeku rekomandon që, nëse këto shenja vazhdojnë, të kryhet analiza e gjakut për hormonin TSH, testi bazë që vlerëson funksionimin e tiroides. Personat që kanë raste të sëmundjeve të tiroides në familje ose kanë pasur probleme më parë duhet të jenë edhe më të kujdesshëm.
Ekspertët këshillojnë që personat me hipotiroidizëm të zgjedhin pushimet pranë detit, ku klima me lagështi të moderuar, era dhe temperaturat më të balancuara mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes. Gjithashtu rekomandohet një regjim ushqimor i pasur me jod, duke përdorur kripë të jodizuar dhe duke konsumuar peshk, fruta deti dhe produkte të tjera të pasura me këtë mineral.
Hidratimi i mirë, aktiviteti fizik i moderuar dhe gjumi cilësor mbeten po ashtu elementë të rëndësishëm për ruajtjen e funksionimit normal të sistemit endokrin gjatë muajve të verës.






















