Hoffenheimi nuk është ndër klubet tradicionale të futbollit gjerman, por në dy dekadat e fundit ka bërë një ngjitje të shpejtë në elitë. Në fillim të viteve 2000, skuadra militonte në kategorinë e pestë, ndërsa në vitin 2008 siguroi për herë të parë promovimin në Bundesligë, ku ka qëndruar vazhdimisht që prej atëherë.
Në arenën evropiane, klubi gjerman debutoi në sezonin 2017/18. Pjesëmarrjen e vetme në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve e regjistroi në edicionin 2018/19, ndërsa në Ligën e Evropës ka qenë i pranishëm në sezonet 2020/21 dhe 2024/25.
Tashmë, për herë të pestë në historinë e tij, Hoffenheimi ka siguruar kualifikimin në garat evropiane për sezonin 2026/27. Ekipi ka të garantuar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, ndërsa ambiciet nuk ndalen këtu, pasi synimi kryesor mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.
Interesimi për klubin është rritur edhe falë pranisë së tre futbollistëve të rëndësishëm të Kosovës: sulmuesit Fisnik Asllani, mesfushorit Leon Avdullahu dhe mbrojtësit Albian Hajdari, të cilët janë kthyer në elementë kyç të skuadrës gjermane.






















