Kur sezoni futbollistik po shkon drejt fundit, janë zbuluar edhe fanellat e reja të Paris Saint-Germain për sezonin e ardhshëm.
Faqja e specializuar ‘Opaleak’ ka publikuar tashmë modelet e uniformave të kampionit francez dhe evropian për sezonin 2026-2027.
Fanellat e reja të PSG-së janë prezantuar të martën dhe pritet të rikthejnë dizajnin ikonik të Hechter: Një shirit i gjerë i kuq në qendër të gjoksit, i pandërprerë nga logoja e sponsorit dhe i rrethuar nga vija të holla të bardha. Ndërkohë, nuanca blu pritet të jetë më e çelët krahasuar me atë të përdorur në vitet e fundit.
Ndryshimi kryesor lidhet me detajet, pasi logoja e klubit dhe ajo e Nike do të vendosen në qendër të fanellës, një zgjedhje estetike e rrallë në historinë e klubit parizien.
Gjithashtu, është bërë publik edhe një imazh i uniformës së re jashtë fushe për sezonin 2026-2027. Kjo fanellë do të zëvendësojë dizajnin aktual të bardhë ‘Kulla Eiffel’, i përdorur gjatë dy sezoneve të fundit. Edhe pse do të mbetet kryesisht e bardhë, ajo do të ketë vija të holla të kuqe dhe blu në pjesën qendrore.






















