Kronika 8 Prill 2026, 20:10 Nga VNA

Shoqata e Prokurorëve: Mjaft me gjuhën e urrejtjes ndaj magjistratëve

Ndaje në Whatsapp
Shoqata e Prokurorëve: Mjaft me gjuhën e urrejtjes ndaj

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe përçmimit ndaj magjistratëve në hapësirën publike dhe mediatike.

 


Sipas shoqatës, përdorimi i mediave dhe platformave publike për të sulmuar magjistratët me fyerje, aludime dhe shpifje deri në forma përndjekjeje publike, cenon integritetin profesional dhe dëmton besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë. Shoqata thekson se këto praktika prekin interesin publik dhe themelet e shtetit të së drejtës.

 


Megjithatë, Shoqata e Prokurorëve thekson se mbështet plotësisht lirinë e shprehjes dhe rolin e medias për të evidentuar problematika dhe për të ushtruar kritikë ndaj sistemit të drejtësisë. Ajo nënvizon se çdo debat duhet të bazohet në fakte dhe argumente, jo në sulme personale ndaj magjistratëve.

 


Shoqata i bën thirrje aktorëve të jetës publike dhe mediave të distancohen nga gjuha e urrejtjes dhe çdo formë intimidimi, duke vendosur interesin publik dhe etikën profesionale në qendër. Ajo gjithashtu shpreh mbështetjen e saj të plotë për çdo magjistrat që përballet me sulme të tilla dhe deklaron se do të ndërmarrë çdo hap ligjor për të mbrojtur integritetin dhe figurën e magjistratëve në Shqipëri.

 

Deklarata e plotë

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me përdorimin e përsëritur të gjuhës së urrejtjes dhe të përçmimit ndaj magjistratëve në hapësirën publike dhe mediatike.

Në një shoqëri demokratike, media, së bashku me aktorë të tjerë të jetës publike, përbëjnë shtylla themelore në garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut. Megjithatë, përdorimi në disa raste i medias dhe i platformave publike për të shënjestruar dhe linçuar figurën e magjistratit, përmes fyerjeve, aludimeve dhe shpifjeve, deri në forma të përndjekjes publike, përbën një praktikë abuzive dhe të papranueshme. Qasje të tilla cenojnë integritetin profesional të magjistratëve dhe dëmtojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke prekur drejtpërdrejt interesin publik dhe themelet e shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve vlerëson dhe mbështet plotësisht lirinë e shprehjes dhe rolin thelbësor të medias në një shoqëri demokratike, përfshirë të drejtën për të evidentuar problematika dhe për të shprehur kritikë ndaj sistemit të drejtësisë, edhe kur kjo është e fortë. Megjithatë, është thelbësore që kjo kritikë dhe çdo debat lidhur me sistemin e drejtësisë të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe argumenteve, e të mos zëvendësohet nga sulme personale ndaj magjistratëve.

Në këtë drejtim, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje aktorëve të jetës publike dhe mediave të distancohen nga gjuha e urrejtjes dhe çdo formë intimidimi në diskursin publik, si dhe të kontribuojnë në respektimin e etikës dhe standardeve profesionale, duke vendosur në qendër interesin publik.
 
Në përmbushje të misionit të saj për mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, Shoqata e Prokurorëve shpreh mbështetjen e plotë për çdo magjistrat që përballet me sulme të tilla dhe mbetet e vendosur të ndërmarrë çdo hap ligjor për të mbrojtur integritetin, figurën dhe vlerat e magjistratëve në Republikën e Shqipërisë.

Video

Ti nuk numëron veten, se po ta numëroje do ishin 13 milion. Hy e dil.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, takim me kreun e SPAK, Klodian Braho.

Mjekë e spitale ka. Mungojnë menaxherët.

Ministrja premton në Lezhë shërbime onkologjike me të njëjtin standart si në Onkologjikun në Tiranë. Lezhianët nuk dinë nëse duhet të gëzojnë apo të tmerrohen nga ky premtim.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme