Opinion 8 Prill 2026, 19:05 Nga VNA

10 arsye pse anëtarët e KPA nuk mund të bëhen gjyqtarë apeli

Ndaje në Whatsapp
10 arsye pse anëtarët e KPA nuk mund të bëhen gjyqtarë

Nga Florian Bonjaku

Ka tekste që, pa pasur nevojë për asnjë kritik të jashtëm, arrijnë ta zbulojnë vetë problemin e tyre, jo aq nga ajo që thonë, sesa nga ajo që përpiqen të fshehin.

Pikërisht i tillë është edhe rasti i letrës së fundit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), në të cilën anëtarët e tij i kërkojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor që, me përfundimin e mandatit, të emërohen në gjykatat e apelit mbi bazën e nenit 166, pika 6, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në pamje të parë, letra është ndërtuar me të gjithë arsenalin klasik të solemnitetit institucional: citohen dispozita kushtetuese, përmenden opinionet e Komisionit të Venecias, sillet jurisprudenca e Strasburgut dhe krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një të drejtë të qartë, të vetëkuptueshme dhe të padiskutueshme, e cila thjesht pret të formalizohet nga institucionet shqiptare.

Por mjafton që letra të lexohet pa entuziazmin ceremonial me të cilin është shkruar dhe kuptohet menjëherë se problemi i saj nuk është mungesa e argumenteve, por fakti se vetë ekzistenca e saj përgënjeshtron pretendimin që përpiqet të mbrojë.

Sepse, nëse e drejta për të cilën flitet do të ishte vërtet kaq e qartë, nuk do të kishte nevojë për një letër të tillë. Nuk do të kishte nevojë për ndërhyrje paraprake, për kërkesë drejtuar KLGJ-së, për mobilizim institucional dhe aq më pak për krijimin e një atmosfere presioni publik e diplomatik.

Një e drejtë që ekziston dhe që del qartë nga ligji nuk ka nevojë të kërkojë garanci. Ajo zbatohet.

“E drejta” që nuk buron nga ligji!

Pikërisht fakti që anëtarët e KPA-së ndjejnë nevojën t’i drejtohen institucioneve për të kërkuar “zbatimin” e saj, tregon se ata vetë e dinë se nuk kemi të bëjmë me një të drejtë të qartë, por me një pretendim juridik shumë të diskutueshëm.

Kjo e bën edhe më domethënëse zgjedhjen që KPA-ja ka bërë në fund të mandatit të saj. Sepse, në vend që të përdorte muajt e fundit për të bërë një bilanc të veprimtarisë së vet, për të shpjeguar pse për vite me radhë mbajti standarde të ndryshme për raste të ngjashme, për të arsyetuar pse në disa raste një deklarim pasurie, një kontakt, një interpretim procedural apo një dyshim i vetëm mjaftonte për të shkatërruar karrierën e një magjistrati, ndërsa në raste të tjera i njëjti fakt relativizohej, harrohej ose interpretohej ndryshe, KPA ka zgjedhur të merret me diçka krejt tjetër: me të ardhmen e vet.

Do të kishte qenë shumë më e ndershme që KPA-ja të shpjegonte se pse një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të saj janë perceptuar si selektive, kontradiktore dhe profesionalisht të pashpjegueshme; pse një numër jo i vogël vendimesh janë zbardhur me muaj e madje me vite vonesë, në kundërshtim flagrant me çdo standard serioz të sigurisë juridike; pse një pjesë e mirë e botës juridike dhe e opinionit publik ka krijuar bindjen se KPA nuk funksionoi gjithmonë si një gjykatë e ftohtë e standardit unik, por shpesh mori pamjen e një lloj komisari politik të veshur me gjuhë juridike.

Por asgjë nga këto nuk gjendet në letrën e saj. Në vend të një reflektimi mbi mënyrën se si e ushtroi pushtetin, kemi një përpjekje për të siguruar se çfarë do të ndodhë me vetë anëtarët e saj pasi pushteti të ketë marrë fund.

Edhe mënyra se si është formuluar letra është domethënëse. Ajo nuk i drejtohet KLGJ-së si një organi që duhet të shqyrtojë, të interpretojë dhe të vendosë. Nuk paraqet një kërkesë juridike në kuptimin klasik të fjalës, ku subjekti thotë: “ja cilat janë argumentet tona dhe kërkojmë që ju t’i vlerësoni”.

Përkundrazi, letra është shkruar me një ton që presupozon se rezultati është i ditur paraprakisht dhe se institucioneve u mbetet vetëm detyra për ta formalizuar atë.

Në këtë kuptim, ajo nuk tingëllon si kërkesë, por si një lloj njoftimi paraprak se çfarë pritet të ndodhë. Dhe ky është gjithmonë një moment alarmi në të drejtën publike, sepse shteti i së drejtës fillon të zbehet pikërisht atëherë kur subjektet nuk i drejtohen më institucioneve për të marrë një vendim, por për t’u kujtuar atyre se cili duhet të jetë vendimi.

“Lutje” ambasadave!

Letra e mësipërme e KPA-së, në mënyrë të habitshme, i drejtohet edhe disa përfaqësuesve diplomatikë dhe është ndoshta momenti në të cilin bie përfundimisht e gjithë narrativa e sigurisë juridike që KPA përpiqet të ndërtojë në letrën e saj.

Sepse është e vështirë të kuptohet se përse njerëz që kanë kaluar vite duke interpretuar Kushtetutën, duke u paraqitur si gjyqtarë me status kushtetues dhe duke pretenduar se kanë ndërtuar standardin më të lartë të reformës në drejtësi ndjejnë nevojën t’ia dërgojnë kërkesën e tyre edhe përfaqësuesve të ambasadave, të cilat nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese apo ligjore në këtë çështje.

Ambasadat nuk interpretojnë Kushtetutën. Nuk vendosin mbi përputhshmërinë e nenit 166, pika 6, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me nenin C të Aneksit të Kushtetutës. Nuk emërojnë gjyqtarë. Nuk ushtrojnë kompetencat e KLGJ-së dhe as nuk mund të zëvendësojnë Gjykatën Kushtetuese në vlerësimin e një konflikti normativ.

Për këtë arsye, përfshirja e tyre nuk ka asnjë funksion juridik. Ka vetëm një funksion tjetër: të krijojë një sfond presioni publik, moral dhe diplomatik mbi institucionet shqiptare, në mënyrë që këto të ndihen të detyruara të pranojnë një rezultat që ndoshta, në kushte normale, nuk do ta pranonin.

Dhe pikërisht kjo e bën situatën kaq paradoksale. Sepse njerëzit që për vite ndërtuan dhe mbrojtën atë që e quajtën “drejtësia e re”, njerëzit që u thanë të tjerëve se duhet të kenë besim absolut te institucionet dhe te ligji, sot duken sikur nuk kanë më besim as te vetë institucionet që ndihmuan të krijonin.

Nëse do të ishin vërtet të bindur se Kushtetuta dhe ligji ua japin automatikisht këtë të drejtë, do t’i drejtoheshin vetëm organit kompetent dhe do të prisnin vendimin e tij. Nuk do të kishin asnjë arsye të kërkonin praninë e ambasadave në këtë debat.

Pikërisht fakti që është ndjerë nevoja për të ndërtuar këtë lloj mbështetjeje të jashtme tregon se vetë autorët e letrës e dinë shumë mirë se nuk po kërkojnë diçka që buron qartë nga ligji, por diçka që ka nevojë të shtyhet, të mbështetet dhe të imponohet përmes autoritetit politik e diplomatik të të tjerëve.

Dhe kjo e bën letrën të ngjajë shumë më tepër me një përpjekje për presion publik sesa me një parashtrim serioz juridik.

Video

Ti nuk numëron veten, se po ta numëroje do ishin 13 milion. Hy e dil.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, takim me kreun e SPAK, Klodian Braho.

Mjekë e spitale ka. Mungojnë menaxherët.

Ministrja premton në Lezhë shërbime onkologjike me të njëjtin standart si në Onkologjikun në Tiranë. Lezhianët nuk dinë nëse duhet të gëzojnë apo të tmerrohen nga ky premtim.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme