Opinion 4 Prill 2026, 08:48 Nga VNA

Kur shteti ngatërrohet me pushtetin

Ndaje në Whatsapp

Kur shteti ngatërrohet me pushtetin

Opinion nga Muriel

Ka raste kur një vendim gjykate thotë më shumë për cilësinë e një republike sesa një fushatë e tërë zgjedhore. Vendimi i gjykatësit federal Richard Leon në Shtetet e Bashkuara, që ndaloi përkohësisht projektin e Donald Trump për një sallë vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë, është një prej tyre. Arsyetimi ishte i qartë: presidenti nuk mund të ndryshojë sipas dëshirës së vet një pasuri simbolike kombëtare; financimi privat nuk e zëvendëson ligjin; dhe kreu i shtetit është kujdestar, jo pronar i tij.

Ky është, në thelb, standardi i demokracisë kushtetuese: pushteti nuk matet nga sa larg arrin të shkojë, por nga sa shpejt dhe sa qartë ndalet kur kapërcen kufirin.

Pikërisht këtu nis edhe krahasimi i pashmangshëm me Shqipërinë.

Në 13 vitet e fundit, problemi i madh i qeverisjes së Edi Ramës nuk ka qenë vetëm përqendrimi i pushtetit. Ka qenë diçka më e thellë dhe më e dëmshme: krijimi i një kulture qeverisëse ku shteti, prona publike, bregdeti, portet, stadiumet dhe madje trashëgimia kombëtare janë trajtuar shpesh jo si pasuri të republikës, por si mjete në dispozicion të vullnetit ekzekutiv.

Ky është një ndryshim thelbësor. Sepse kur shteti shihet si amanet, qeveria ruan. Kur shteti shihet si instrument, qeveria shpërndan.

Ligji për investimet strategjike është ndoshta shprehja më e qartë e kësaj filozofie. Ai i jep ekzekutivit mundësi të gjera për të vënë në dispozicion toka shtetërore, pyje, toka bujqësore dhe pasuri të tjera, si edhe për të trajtuar projekte të caktuara si “interes publik”, deri edhe me mundësinë e shpronësimit në funksion të tyre. Në teori, ky është një mjet zhvillimi. Në praktikë, pa kontroll të fortë institucional, ai rrezikon të kthehet në një mekanizëm për të zhvendosur pasurinë publike drejt interesave të favorizuara nga pushteti.

Dhe pikërisht kjo është ajo që ka shqetësuar jo pak herë edhe institucionet europiane. Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për zgjatjen e ligjit për investimet strategjike, për derogime në prokurim dhe për politika që mund të bien ndesh me standardet e Bashkimit Europian. Kur këto vërejtje përsëriten, nuk kemi më të bëjmë me debat partiak, por me një problem të modelit të qeverisjes.

Rasti i Sazanit e bën këtë model të dukshëm në mënyrën më dramatike. Një ishull me rëndësi historike, ushtarake dhe mjedisore u fut në logjikën e një resorti luksoz, pasi qeveria i dha statusin e investitorit strategjik një kompanie të lidhur me Jared Kushner për një projekt të raportuar rreth 1.4 miliardë euro. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga vetë kryeministri, ndërsa shteti parashikohet të përfshihet përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare.

Këtu pyetja e vërtetë nuk është nëse projekti sjell para. Pyetja është më serioze: a mund të trajtohet një pasuri e tillë kombëtare thjesht si mundësi investimi? Në një shtet me refleks kushtetues, kjo do të kishte kërkuar një debat publik të thellë, mbikëqyrje të fortë parlamentare dhe një kontroll institucional shumë më rigoroz. Sepse republikat nuk maten vetëm nga aftësia për të tërhequr kapital, por edhe nga aftësia për të ruajtur kufijtë e asaj që nuk duhet të vihet lehtësisht në tavolinë.

E njëjta logjikë duket te Porti i Durrësit. Gjykata Kushtetuese përshkruan në vendimin e saj se projekti “Marina & Jahtet e Durrësit” mori statusin e investimit strategjik mbi një sipërfaqe rreth 79 hektarë dhe se prona shtetërore u transferua në fondin e pasurive për mbështetjen e investimeve strategjike, në funksion të realizimit të projektit. Një aset portual kombëtar, me rëndësi publike dhe ekonomike, u vu kështu në rrugën e një zhvillimi luksoz me marina, rezidenca dhe shërbime elitare.

As këtu problemi nuk është vetëm projekti në vetvete. Problemi është filozofia që e prodhon: ideja se pasuria publike mund të ripërcaktohet sipas vizionit të qeverisë së radhës, pa një kulturë të fortë kufizimi institucional. Në vend të pyetjes “çfarë humbet publiku?”, shpesh është imponuar pyetja “sa fiton investitori?”.

Butrinti përfaqëson një tjetër dimension të këtij deformimi. Gjykata Kushtetuese konstatoi se fondacioni përkatës mori të drejtë ekskluzive dhe detyrim për administrimin indirekt të pasurisë kulturore, përfshirë posedimin, përdorimin, shfrytëzimin dhe gëzimin, por jo pronësinë. Juridikisht, titulli i pronës mbeti te shteti. Politikisht dhe institucionalisht, megjithatë, u pranua një formulë ku kontrolli ekskluziv i administrimit u zhvendos jashtë administrimit të zakonshëm publik.

Ky është një dallim që meriton vëmendje. Pasuria publike sot nuk jepet gjithmonë me shitje të drejtpërdrejtë. Shpesh ruhet forma, ndërsa ndryshon përmbajtja. Prona mbetet “e shtetit” në letër, por përdorimi, drejtimi dhe përfitimi praktik kalojnë në duar të tjera. Pikërisht këtu fillon zona gri ku republika ruan fasadën, por humbet substancën.

Një nga pamjet më të prekshme të kësaj politike është bregdeti. Materialet zyrtare të AIDA-s kanë promovuar skemën “Albania 1 Euro” si instrument për t’u dhënë investitorëve tokë shtetërore për projekte turistike për periudha të gjata. Vetë shteti, me gjuhën e tij zyrtare, e ka paraqitur pronën publike si avantazh konkurrues për t’u ofruar me çmim simbolik.

Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike. Është një çështje e ndjeshme e moralit publik. Sepse kur bregdeti, toka dhe asetet shtetërore fillojnë të trajtohen si mjete promocionale të qeverisë, krijohet bindja se publiku nuk është më zot i pasurisë së vet, por spektator i mënyrës si ajo rishpërndahet. Rasti bëhet edhe më i rëndë kur raportime investigative kanë dokumentuar kalime toke publike në funksion të investimeve strategjike apo transaksione shumë poshtë vlerës së tregut.

Edhe stadiumet dhe hapësirat sportive janë futur në këtë logjikë. Projekti për “rijetëzimin” e Selman Stërmasit dhe përdorimi i pronave sportive si pjesë e formulave të zhvillimit të përzier me privatin tregojnë se edhe aty ku duhej të dominonte interesi urban, sportiv dhe qytetar, ka hyrë me forcë logjika e rentës. Hapësira publike nuk shihet më si vlerë që duhet ruajtur, por si potencial që duhet kapitalizuar.

Ky është momenti kur krahasimi me rastin amerikan bëhet i dhimbshëm.

Atje, gjykata i kujtoi presidentit se nuk mund të prekë sipas vullnetit të vet një pasuri kombëtare. Këtu, në Shqipëri, është krijuar për vite me radhë ideja se mjafton një status “strategjik”, një vendim qeverie, një formulë partneriteti apo një korporatë shtetërore që prona publike të ndryshojë drejtim sipas nevojës politike.

Atje, u tha se financimi privat nuk e zëvendëson ligjin. Këtu, shoqëria është ftuar vazhdimisht të heshtë sapo paraqiten shifra të mëdha investimi, sikur kapitali privat ta pastronte vetvetiu çdo problem të interesit publik.

Atje, gjykata tha se presidenti është kujdestar, jo pronar. Këtu qëndron aktakuza më e rëndë politike ndaj Edi Ramës: gjatë një pjese të mirë të qeverisjes së tij, ai ka vepruar shpesh jo si kujdestar i përkohshëm i një republike që u përket qytetarëve, por si administrues i një shteti që mund të riformatohet sipas vizionit dhe interesit të pushtetit.

Kjo nuk është vetëm çështje arrogance. Është çështje kufiri.

Një republikë nuk dëmtohet vetëm kur shkelet haptazi Kushtetuta. Ajo dëmtohet edhe kur normalizohet ideja se prona publike është e negociueshme sipas nevojës së qeverisë; se bregdeti, porti, ishulli, stadiumi dhe trashëgimia mund të kalojnë nga funksioni publik në logjikën e projektit; se qytetari duhet të mjaftohet me propagandë, ndërsa shteti humbet pak nga pak substancën e tij publike.

Përgjegjësia, natyrisht, nuk është vetëm e atij që ushtron pushtetin. Është edhe e institucioneve që nuk kanë reaguar gjithmonë me forcën, shpejtësinë dhe autoritetin e nevojshëm. Sepse republika nuk humbet vetëm kur pushteti kalon vijën. Humbet edhe kur askush nuk ia tregon më vijën.

Dhe ky është, në fund, mësimi më i hidhur për Shqipërinë: jo vetëm që pushteti është zgjatur, por është zgjatur bashkë me bindjen se shteti është i disponueshëm. Se mund të paketohet. Se mund të jepet. Se mund të ripërdoret.

Një shoqëri që mësohet me këtë ide rrezikon të humbasë më shumë sesa një port, një ishull apo një copë bregdet. Rrezikon të humbasë vetë kuptimin e republikës.

Video

Në Iran u rrëzua një avion amerikan F-15, duke nxitur një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi gjatë të cilit forcat iraniane hapën zjarr ndaj helikopterëve amerikanë. Një pilot u shpëtua, ndërsa për tjetrin vazhdojnë kërkimet. Irani ofroi shpërblim për informacione për gjetjen e tij. Autoritet iraniane po ashtu pretendojnë se kanë rrëzuar edhe një avion A-10. Presidenti i ShBA-së Donald Trump deklaroi se incidenti nuk do të ndikojë në negociatat mes palëve.

Shkrimtarja dhe artistja e njohur, tashmë shndërruar dhe në fenomen televiziv Moza Ahmeti ka një kritike të fortë. Ajo quhet Eir Plasari dhe është vajza e madhe e saj. Në gjurmët e prindërve edhe Eir është një shkrimtare e re e cila ka “kritika” për nënën e saj të bëra publike në një intervistë 4 vite më parë në emisionin Wake up. Video credits TCH

Hajde mos e beso kur ta thotë Rama…

Momenti kur shqiptari ndjek hajdutët që vodhën orën 65 mijë £ në Londër.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme