Editorial i Monitor/ Pyetja nëse Shqipëria është në gjendje të mbajë dhe të promovojë talentet e saj nuk është më një dilemë teorike, por një problem strukturor që shfaqet çdo vit me shifra, statistika dhe histori personale.
Pavarësisht retorikës për “trurin shqiptar”, për “brezin e ri” dhe për “kapitalin njerëzor”, realiteti tregon se vendi nuk po arrin të krijojë një mjedis të qëndrueshëm ku talenti jo vetëm të lindë, por edhe të rritet, të konsolidohet dhe të japë fryte afatgjata, duke e nxitur atë shpesh të kërkojë zhvillimin personal jashtë vendit.
Mungesa e parë është sasiore dhe më e dukshmja: emigrimi. Sipas raportit të BERZH, rreth një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me humbjen më të madhe të kapitalit njerëzor në rajon.
Kjo do të thotë se pjesa më e formuar e shoqërisë, ajo që ka investuar më shumë në edukim dhe aftësi profesionale, nuk e sheh më Shqipërinë si një hapësirë ku mund të ndërtojë jetën dhe karrierën.
Emigrimi nuk është më thjesht kërkim i një page më të lartë; është largim nga mungesa e perspektivës, nga pasiguria institucionale dhe nga ndjenja se përpjekja profesionale nuk shpërblehet në mënyrë të drejtë dhe nuk është e qëndrueshme.
Mungesa e dytë pritet të jetë cilësore dhe më e thellë: rënia e cilësisë së sistemit arsimor. Rezultatet e testimeve ndërkombëtare si PISA tregojnë përkeqësim të vazhdueshëm të nivelit të nxënësve shqiptarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Kjo nuk është thjesht çështje notash, por sinjal se brezat e rinj po hyjnë në tregun e punës me më pak aftësi analitike, më pak mendim kritik dhe më pak përgatitje për një ekonomi konkurruese. Kur arsimi humbet vijueshmërinë e cilësisë, talenti nuk ndërtohet më si proces afatgjatë, por si përjashtim individual nga rregulli.
Edhe për ata që arrijnë të formohen mirë dhe do të donin të qëndronin në Shqipëri, pengesa e tretë është sistemi i karrierës. Në Shqipëri, karriera profesionale rrallë ndjek një trajektore të qëndrueshme, përmbushëse dhe meritokratike.
Mungesa e zhvillimit ekonomik me vlerë të shtuar të lartë nuk lejon krijimin e eksperiencave të thelluara profesionale, të projekteve komplekse apo të institucioneve që të të rrisin si profesionist dhe të zhvillojnë më tej talentin.
Për më tepër, ndikimi i politikës është i madh: shpesh kërkohen njerëz të bindur dhe jo profesionistë transparent e kritikë. Talenti ose deformohet për t’u përshtatur me sistemin, ose përjashtohet, jo rrallë edhe duke u denigruar si individ. Në shumë raste, karriera ndërpritet jo për mungesë aftësish, por për mungesë “përkatësie”.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me pengesën e katërt: korrupsioni. Në një mjedis ku lidhjet, favorizimet dhe interesat personale kanë peshë më të madhe se kompetenca, talenti nuk ka hapësirë të arrijë potencialin e vet.
Për të mbijetuar, profesionisti detyrohet të bëjë kompromise, të heshtë, të përshtatet ose të tërhiqet në punë më pak të kualifikuara dhe me visibilitet apo të largohet.
Korrupsioni nuk e vret talentin menjëherë; e konsumon gradualisht, e denigron, duke e bërë të padukshëm, të lodhur dhe, në fund, të dorëzuar.
Ka raste kur profesionistë të formuar jashtë vendit janë rikthyer, madje kanë marrë edhe poste të larta, deri në nivel ministrash apo drejtuesish të institucioneve.
Në teori, këta individë kanë mundësinë institucionale dhe autoritetin profesional të ndikojnë në politikat, menaxhimin dhe reformimin e sistemeve. Në praktikë, rezultati në rastin më të mirë ka qenë pothuaj zero. Karrierat e tyre shpesh janë të shkurtra, të ndërprera ose të deformuara nga logjika e sistemit.
Në aspektin profesional këta individë janë talente dhe ndonëse kanë bërë karrierë të spikatur jashtë vendit, në Shqipëri shpesh kanë dështuar, sepse përballen me një ngrehinë të ndërtuar jo për zhvillim, por për kontroll, ruajtje pushteti dhe stabilitet artificial. Vullneti individual nuk mjafton kur struktura është kundër ndryshimit.
Në fund, krahasimi me vendet e tjera të Europës Lindore është domethënës. Pas dekadash tranzicioni, vende si Polonia, Rumania apo Estonia kanë nisur të kthejnë talentet, duke krijuar sektorë teknologjie, kërkimi dhe industri me vlerë të shtuar të lartë.
Shqipëria, përkundrazi, mbetet e bllokuar në nepotizëm, klientelizëm, korrupsion dhe investime me produktivitet të ulët. Në këto kushte, nuk ka mjedis për lulëzim të qëndrueshëm të asnjë talenti.
Mund të kthesh edhe shkencëtarin më të madh, edhe menaxherin më të aftë, edhe profesionistin më të formuar, por në një sistem që nuk shpërblen dijen dhe meritën, rezultati do të jetë i njëjtë: ose do të deformohet, ose do të largohet sërish.
Pyetja “A i mbajmë dhe nxisim dot talentet?” sot ka një përgjigje të hidhur: Jo! Jo për shkak se nuk kemi talente, por sepse nuk kemi vullnetin të ndërtojmë ende një vend ku talenti ka kuptim të qëndrojë.






















