
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi ndjekjen dhe ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për periudhën 2023–2024 nxjerr në pah shqetësimet mbi respektimin e afateve ligjore dhe një kosto të shtuar për buxhetin e shtetit shqiptar.
Sipas raportit, gjatë vitit 2023, GJEDNJ shqyrtoi 47 çështje që lidhen me Shqipërinë për 75 kërkesa, ku kërkuesit pretenduan dëmshpërblime prej rreth 2 miliard lekësh, ndërsa Gjykata pranoi vetëm 29 milionë lekë, ose 279 mijë euro. Në 18 vendime u konstatuan shkelje nga shteti shqiptar dhe në 16 raste kërkesat u shpallën të papranueshme, ndërkohë që Avokatura e Shtetit orientoi më shumë zgjidhjen e çështjeve përmes pajtimit.
Nga të dhënat rezulton se në vitin 2023 u bënë përfundimtare 23 vendime kundër Shqipërisë, nga të cilat u ekzekutuan 14, me dëmshpërblim 10,416,942 lekë dhe 68,166 lekë interesa për 5 vendime të likuiduara jashtë afatit 3-mujor. Ndërkohë, 9 vendime të tjera të vitit 2023 u paguan në vitin 2024, me një vlerë 21,263,173 lekë, nga të cilat 37,396 lekë ishin interesa për vonesa. Po ashtu, për 2 vendime të viteve 2019–2021, me dëmshpërblim 4,018,746 lekë, janë paguar 369,741 lekë interesa. Në total, gjatë periudhës 2023–2024, 19 vendime janë shlyer jashtë afatit ligjor, duke sjellë një dëm financiar prej 485,916 lekësh.
Në vitin 2024, GJEDNJ nxori 49 vendime për 67 kërkesa, ku kërkesat për dëmshpërblim arritën në 5,601,036 euro, ndërsa Gjykata pranoi vetëm 212,600 euro. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2024, shteti shqiptar ekzekutoi 31 vendime, me një vlerë dëmshpërblimi 30,355,446 lekë dhe 48,009 lekë interesa për vonesa, duke arritur në total 30,403,545 lekë. Nga këto, 9 vendime ishin të mbartura nga viti 2023.
Deri në fund të vitit 2024, mbetën të paekzekutuara 6 vendime me vlerë 97,100 euro, ndërsa 3 prej tyre u shlyen në tremujorin e parë të vitit 2025 me një shumë 15,900 euro, ku dy u paguan jashtë afatit, me vonesa 15 dhe 46 ditë.
Auditimi konstatoi se 2 vendime nga këto vendime të paekzekutuara në fund të vitit 2024 (me një dëmshpërblim prej 70,800 euro) ishin jashtë afatit 3-mujor nga momenti kur vendimi i gjykatës merr formën e prerë, duke shtuar riskun në rritjen e efekteve negative që japin në pagesën e interesave, veprime në kundërshtim me ligjin për “Për Avokaturën e Shtetit”.
Po kështu, sipas raportit, një nga problematikat më të rënda mbetet moszbatimi i 6 vendimeve të GJEDNJ-së të viteve 2015- 2018, me një vlerë totale rreth 17 milionë euro, ku vetëm një çështje përbën rreth 13.3 milionë euro. Këto vendime të paekzekutuara prej më shumë se 7 vitesh, rrisin ndjeshëm riskun e kamatëvonesave.
Auditimi konstaton se moszbatimi i këtyre vendimeve bie ndesh me nenin 46 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 122 të Kushtetutës, që i bën detyruese marrëveshjet dhe vendimet ndërkombëtare në Shqipëri. Gjithashtu, për tri vendime përfundimtare të vitit 2024, me afate pagese në vitin 2024 dhe fillim 2025, rezulton se vendimet e Këshillit të Ministrave janë miratuar me vonesa mbi 5 muaj, në kundërshtim me ligjin për Avokaturën e Shtetit.
Një tjetër problem serioz është mungesa e llogaritjes së interesave nga Ministria e Financave në raportet vjetore dhe në evidencat e borxhit, çka bën që as Avokatura e Shtetit të mos ketë informacion të plotë mbi detyrimet reale. Për këtë arsye, grupi i auditimit nuk ka mundur të përllogarisë saktë dëmin e pritshëm nga interesat, veçanërisht për vendimet e paekzekutuara prej më shumë se 5 vitesh.
Sipas raportit, interesat që do të aplikohen mbi shumën 17,968,650 euro do të gjenerojnë një dëm të mëtejshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa vonesat dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse, kryesisht Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, krijojnë risk të lartë për pasoja financiare shtesë. Kjo situatë kërkon vëmendje të shtuar dhe ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar respektimin e detyrimeve ligjore dhe ndërkombëtare të Shqipërisë./ekofin.al
























