
Auditimi i fundit mbi kontratat koncesionare (PPP) në sektorin e shëndetësisë evidenton një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve dhe angazhimeve buxhetore, duke tejkaluar parashikimet fillestare dhe duke ushtruar presion mbi financat publike.
Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), ekzistojnë mospërputhje të dukshme mes vlerave të parashikuara në dokumentet standarde të kontratave, financimit real vjetor dhe planifikimit buxhetor afatmesëm për periudhën 2023–2025.

Një nga kontratat më problematike rezulton ajo për ofrimin e shërbimeve të integruara në sallat kirurgjikale. Ndërsa vlera e parashikuar fillimisht në dokumentacionin kontraktual është rreth 9.6 miliardë lekë pa TVSH, mbështetja buxhetore e planifikuar për vitet e fundit tregon një tendencë të qartë rritjeje. Vetëm për vitet 2022–2025, financimi nga buxheti shtetëror shkon nga 1.7 miliardë lekë në 1.79 miliardë lekë në vit, duke tejkaluar pritshmëritë fillestare.
Rritje e ndjeshme konstatohet edhe te koncesioni i shërbimit të hemodializës. Edhe pse kontrata parashikon një mbështetje buxhetore totale prej 7.2 miliardë lekësh për 10 vite, shpenzimet faktike kanë qenë çdo vit më të larta se sa niveli i parashikuar. Për periudhën 2021–2023, faturimet e pranuara kanë kapërcyer kufijtë kontraktualë, duke sjellë nevojën për fonde shtesë dhe duke ndikuar negativisht në disiplinën buxhetore.
Auditimi ngre shqetësime edhe për PPP-në e shërbimit laboratorik, ku shpenzimet për vitin 2023 janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin pararendës. Rritja, sipas audituesve, nuk lidhet me ndryshime në çmimet referuese, por me përdorimin më të madh të analizave me tarifa të larta. Financimi për këtë koncesion në vitin 2023 ka qenë 6.9% më i lartë se në vitin 2022, ndërsa shpenzimet totale në periudhën 2020–2023 janë rritur nga 1.1 miliardë në 1.7 miliardë lekë.
Raporti thekson gjithashtu se rishikimi i paketave të shërbimit është kryer vetëm për disa procedura të dializës, ndërkohë që për paketat e tjera çmimet dhe përmbajtja vijojnë të mbeten të pandryshuara që prej vitit 2020, pavarësisht ndryshimeve ekonomike dhe kostove reale të shërbimeve.
Në rekomandimet përfundimtare, auditimi kërkon që FSDKSH dhe Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrin masa për rishikimin e plotë të të gjitha paketave të shërbimit, si dhe të forcojnë monitorimin e kontratave PPP, me qëllim kontrollin e shpenzimeve dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve publike, të cilat po shfaqin një trend rritës nga viti në vit.






















