
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi në fillim të këtij muaji një rregullore të re për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit.
Në mbështetje të ligjit të ri “Për komunikimet elektronike, rregullorja përcakton edhe që pajtimtarët e kategorisë konsumator që janë përdorues me parapagim të shërbimeve celulare kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim nga operatori dhënës për kreditet e mbetura ose të papërdorura të tyre në datën e portimit të numrit.
Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit për kreditet e mbetura në bazë të kërkesës së konsumatorit me parapagim (të depozituar gjithmonë tek operatori dhënës). Përdoruesit do t’i vendoset një afat për të paraqitur kërkesën për rimbursim, afat i cili nuk duhet të jetë më pak se 14 ditë kalendarike nga data e portimit të numrit.
Operatori dhënës duhet të ofrojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga konsumatorët në pikat e shitjes, si edhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve elektronike online (p.sh email ose kërkesa të depozituara online) që operatori mund të përdorë në marrëdhëniet me pajtimtarët dhe që mundësojnë identifikimin e këtyre të fundit.
Operatori dhënës ka të drejtë të aplikojë një tarifë administrative për procesimin e kërkesës për rimbursimin, vetëm kur ajo parashikohet në kontratën ekzistuese me konsumatorin.
Tarifa e aplikuar në këto raste duhet të jetë proporcionale dhe në raportin e duhur ndaj kostove aktuale të operatorit për ofrimin e rimbursimit. Ajo duhet të jetë fikse dhe e pavaruar nga vlera e rimbursuar, por në çdo rast jo më e lartë se 500 lekë (me TVSH).
Operatori duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit me pagesë në cash në një pikë shitje ose me transfertë bankare nëse kjo kërkohet nga konsumatori vetë.
Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës për rimbursim.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” gjithashtu parashikon edhe të drejtën e kompensimit të përdoruesit në rast të vonesave ose abuzimeve në procesin e portimit të numrit. Sipas ligjit të ri, ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik duhet të ofrojnë në kontratën e shërbimit edhe çdo tarifë në lidhje me ndërrimin dhe marrëveshjet e kompensimit dhe rimbursimit për vonesën ose abuzim të ndërrimit, si edhe informacion në lidhje me procedurat përkatëse.
Rregullorja saktëson më tej se vonesat ose abuzimet të kryera nga operatori (qoftë ai dhënës ose marrës) në procesin e portimit të numrit do të konsiderohen kryerja e procesi portimi të numrit nga operatori marrës pa kërkesë nga pajtimtari, refuzim ose pranimi me kusht i kërkesës për portim numri nga operatori dhënës në kundërshtim me përcaktimet e rregullores, tejkalimi i afateve nga operatori dhënës në përgjigje të kërkesës për portim ose tejkalimi i afateve nga operatori marrës për hedhjen në sistemin përkatës të portabilitetit të kërkesës.
Megjithatë, rregullorja nuk përmban përcaktime konkrete lidhur me vlerën e kompensimit që mund të përfitojë përdoruesi në këto raste apo për mënyrën e llogaritjes së saj.
Portimi i numrave për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike të lëvizshme filloi
në vitin 2011, ndërsa për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike fikse filloi në
vitin 2012. Deri në fund të vitit 2024, rezultonte se ishin portuar në total rreth 1.3 milionë numra
celularë dhe rreth 20 mijë numra fiks.
Megjithatë, ky proces ka qenë në vazhdimësi problematik, pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të AKEP dhe ndryshimeve në rregulloren përkatëse.
Sipas të dhënave nga AKEP, portabiliteti i numrave celularë arriti nivelin më të ulët historik gjatë vitit 2024, kur u portuan vetëm 19500 numra celularë, 50% më pak krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat e AKEP treguan gjithashtu se shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për portabilitet numri ishte mjaft e lartë. Për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan.
Shkalla e refuzimit të kërkesave ka pësuar rënie nga niveli prej gati 70% të një viti më parë, por, pavarësisht kësaj, procesi vazhdon të ketë problematika.
Sipas AKEP, problematikat e raportuara në ankesat e pajtimtarëve lidhen me refuzimet e kërkesave për portim të numrit nga operatori transferues, për arsye të mospërputhjes së ID së përdoruesve me parapagim në sistemet e operatorit transferues me ID në kërkesën për portim të dërguar nga operatori përfitues, si edhe detyrimeve kontraktore të pajtimtarit me paspagim (kontratë) tek operatori transferues.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore (por jo më shumë se 50 milionë lekë) të operatorit të komunikimeve elektronike, nëse ai nuk përmbush detyrimet ligjore të vendosura për portabilitetin e numrave./Monitor.al/






















