
Qeveria e Shqipërisë është gati të falë borxhet tatimore më shumë se një dekadë të vjetra të bizneseve, si pjesë e asaj që e quan një rivendosje e marrëdhënieve midis autoriteteve tatimore dhe bizneseve. Kritikët thonë se kjo është e padrejtë për ata që kanë vepruar sipas rregullave.
Ndoci, një pronar restoranti 60-vjeçar në veri të Shqipërisë, krenohet që bën gjithçka sipas ligjit, paguan faturat në kohë dhe mban punonjësit e tatimeve të kënaqur.
Prandaj, kur Partia Socialiste në pushtet njoftoi vitin e kaluar se do të falë borxhet tatimore të bizneseve më të vjetra se një dekadë, Ndoci e pa këtë si një goditje pas shpine.
“Kam punuar sipas rregullave që nga viti 1992; paguaj sigurimet dhe të gjitha detyrimet tatimore”, tha Ndoci për BIRN, me kusht që mbiemri i tij të mos publikohej.
“Por kur shoh që bizneset konkurrente që nuk janë të rregullta, që nuk paguajnë faturat si unë, do të amnistohen nga shteti, kjo jo vetëm që krijon pabarazi, por më shtyn edhe mua të bëj të njëjtën gjë.”
“Në vend që të mbështesin dhe favorizojnë bizneset që paguajnë rregullisht tatimet, ata po i falin bizneset që operojnë ‘nën rrogoz’.”
Amnistia e borxheve pritet të hyjë në fuqi këtë muaj, pasi u njoftua për herë të parë nga Partia Socialiste gjatë fushatës së saj zgjedhore në pranverën e vitit 2025.
Por nuk është vetëm Ndoci i zemëruar. Disa deputetë të partisë në pushtet janë shprehur skeptikë ndaj refuzimit të qeverisë për të publikuar emrat e bizneseve që do të përfitojnë.
“Kuvendi duhet ta dijë – kujt po ia bëjmë këtë nder?” pyeti ligjvënësi socialist Erjon Braçe gjatë një seance të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të parlamentit.
Zv/ministri i Financave, Endrit Yzeiraj, tha se një informacion i tillë “i ndjeshëm” nuk mund të bëhet publik dhe ministria e financave nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN lidhur me bizneset që do të përfitojnë.
Enno Bozdo, deputet i Partisë Demokratike në opozitë, tha se shteti thjesht po shpërblen shkeljet e ligjit. “Kjo nuk është as e drejtë as e justifikuar,” tha ai.
“Amnisti” apo “marrëveshje”?

Në mesin e nëntorit, Ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi dy projektligje: “Për Fshirjen, Shuarjen dhe Pagesën e Detyrimeve Tatimore ndaj Administratës Tatimore Qendrore dhe të Detyrimeve të Pagueshme në Doganë” dhe “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.
Ai e hodhi poshtë termin “amnisti”, duke thënë se qëllimi ishte thjesht përmirësimi i marrëdhënieve midis tatimpaguesve dhe zyrës tatimore – duke krijuar një “paqe fiskale”, siç e quajti qeveria.
Ligji i dytë, “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, është hartuar për të ndihmuar bizneset të menaxhojnë borxhet më të reja përmes një marrëveshjeje vullnetare me shtetin që do të zgjasë për dy vitet e ardhshme dhe do t’i falë pjesërisht këto borxhe.
Sipas të parit, borxhet që datojnë nga më shumë se një dekadë më parë do të anulohen plotësisht; një anulim i pjesshëm i borxheve më të reja do të jetë i mundur për bizneset që fillojnë t’i paguajnë ato këtë vit.
Sipas të dhënave të qeverisë, shtetit i detyrohen pak më shumë se 300 milionë euro tatime të papaguara për më shumë se një dekadë. Borxhet më të fundit arrijnë në total mbi 1.3 miliardë euro. Në detyrë që nga viti 2013, socialistët e kryeministrit Edi Rama kanë propozuar amnisti edhe më parë.
Në vitin 2022, kabineti i Ramës propozoi që qytetarëve shqiptarë t’u lejohet të legalizojnë pasuritë e padeklaruara me vlerë deri në dy milionë euro në këmbim të pagesës së një takse prej 5-10 për qind, pa detyrimin për të zbuluar burimin e pasurive. Opozita tha se përfitues do të ishin kriminelët dhe propozimi nuk u bë kurrë ligj.
Një skemë e ngjashme e propozuar në vitin 2020 u tërhoq pas presionit nga Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët argumentuan se kjo mund të ndihmonte pastrimin e parave.
Rama tha se “marrëveshja e re fiskale” do të zbatohej.
“Marrëveshja fiskale e promovuar gjatë procesit zgjedhor tani është një paketë e shkruar e hartuar për të forcuar bashkëpunimin dhe për të rritur besimin midis administratës tatimore dhe biznesit”, tha ai.
Jorida Tabaku, ekonomiste dhe deputete e Partisë Demokratike të opozitës, tha se ishte një amnisti e maskuar dhe se ndryshonte pak nga amnistitë e propozuara në vitet 2020 dhe 2022.
“Së pari, duhet të jemi të sinqertë me terminologjinë: ajo që qeveria e quan një ‘marrëveshje fiskale’ është në thelb një amnisti fiskale e maskuar”, tha ajo për BIRN. “Është i njëjti koncept nga i cili qeveria u tërhoq katër vjet më parë, pas kundërshtimit të qartë nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se një amnisti e tillë do të dobësonte kontrollet kundër pastrimit të parave dhe nuk do të ndihmonte në përmirësimin e pajtueshmërisë tatimore.”
Tabaku argumentoi se nisma do të “shkelte barazinë e ndërmarrjeve para ligjit” dhe rrezikonte të dëmtonte ekonominë shqiptare dhe reputacionin e saj ndërkombëtar.
“Dhe këtu lind pyetja themelore: kush përfiton? A janë ato kompani të lidhura me qeverinë, përfitues të koncesioneve, subjekte të hetuara nga SPAK-u apo biznese që kanë jetuar për vite me radhë në hijen e informalitetit?”
Pasojat të panjohura

Dhomë Amerikane e Tregtisë e ka kritikuar planin e qeverisë, duke thënë se ai rrezikon të dëmtojë parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike, proporcionalitetin e detyrimeve tatimore dhe detyrimin e administratës për t’i trajtuar të gjithë tatimpaguesit në mënyrë të barabartë.
“Projektligji propozon një skemë në të cilën bizneset që kanë deklaruar me korrektësi fitimet ndër vite vendosen në një pozicion të pafavorshëm, ndërsa subjektet që kanë shmangur detyrimet tatimore përfitojnë drejtpërdrejt”, thuhej në një deklaratë të lëshuar më 11 dhjetor.
Ola Xama, gazetare në fushën e ekonomisë, tha për BIRN.
“Cili është efekti social i ‘paqes fiskale’? Asnjë, nuk ka efekt social sepse nuk mbështet kategoritë në nevojë dhe shtresat e cenueshme të shoqërisë.”
Ajo gjithashtu vuri në pikëpyetje bazën analitike të nismës, duke vënë në dukje se “nuk kemi emrat e përfituesve”.
Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, tha se ndikimi i nismës është “i vështirë për t’u parashikuar”, por mund të jetë i dëmshëm për konkurrueshmërinë e biznesit në planin afatgjatë”.
“Pra, edhe nëse mund të shënojë një rritje momentale në mbledhjen e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit gjatë një ose dy viteve të ardhshme, zbatimi i kësaj ‘marrëveshjeje’ vlerësohet se do ta përkeqësojë më tej klimën e biznesit në vend, do të dëmtojë konkurrueshmërinë në tregje të ndryshme dhe ta kthejë vendin në një parajsë fiskale”, tha Preçi për BIRN.
“Qeveria duhet të jetë transparente për grupin e interesit që po e kërkon këtë akt ligjor (biznesi, vetë qeveria, klientët e saj oligarkë, apo krimi i organizuar direkt)”, shtoi ai.
“Refuzimi për të publikuar listën e bizneseve përfitues fsheh një realitet të dyshimtë dhe nxit spekulime, kur, në fakt, duhet të ishte e kundërta.”/BIRN/






















