Rasti i 220 studentëve të Mjekësisë të pranuar në Universitetin e Romës “Tor Vergata”, por të caktuar për të ndjekur studimet në degën e Tiranës, ka shkaktuar debate dhe shqetësim të madh në Itali. Studentët kishin aplikuar për programin e Mjekësisë në Romë, por, papritur, u informuan se do të ndjekin studimet në selinë e Tiranës – një kampus që funksionon si universitet privat – me një tarifë vjetore prej 9.650 eurosh.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta, përfshirë ndërhyrjen e ministres italiane të Universitetit, Anna Maria Bernini, e cila ka kritikuar vendimin e universitetit dhe ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të tarifave për studentët e caktuar jashtë Romës.
Rasti ka dalë pas përfundimit të semestrit të parë dhe publikimit të renditjeve kombëtare të studentëve që kanë kaluar provimet. 220 studentë, të cilët kishin arritur kualifikimin, u caktuan për të ndjekur programin “Joint Degree” në Tiranë, një bashkëpunim midis Tor Vergata dhe Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shqipëri, krijuar për të rritur numrin e vendeve për vitin akademik 2025–2026.
Ndërsa universiteti e prezantoi këtë mundësi si një mënyrë për të zgjeruar vendet e studimit, për studentët ka qenë e vështirë të kuptonin se tarifa ishte shumë më e lartë se në degën publike të Romës, për shkak të natyrës private të universitetit shqiptar.
Universiteti Tor Vergata ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se informacioni mbi tarifat dhe procedurat administrative ishte i qartë që në regjistrim dhe i publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas universitetit, programi ruan kriteret e provimeve të Tor Vergata-s, por kërkon formalitete shtesë dhe pagesën e tarifës prej 9.650 eurosh. Megjithatë, shumë studentë nuk e kishin kuptuar se selia e Tiranës funksiononte si universitet privat.
Studentja Gaia Gargiulo, një nga të përfshirët, ka përshkruar situatën si një keqkuptim: emërtimi “Tor Vergata – selia Tiranë” jepte idenë e një dege publike italiane, ndërsa në fakt ishte një kampus privat. Studentët janë të detyruar të pranojnë vendet e caktuara në Tiranë, pa mundësinë për t’u rikthyer në universitet italian, pavarësisht arritjeve dhe përpjekjeve të tyre, duke humbur kështu të drejtën për arsim në vendin e zgjedhur.
Ministrja Bernini ka konsideruar të gabuar vendimin e universitetit për tarifat e larta dhe ka kërkuar një rishikim të menjëhershëm, duke theksuar se të drejtat për arsim duhet të garantohen për të gjithë studentët, pavarësisht selisë ku ndjekin studimet. Si zgjidhje e përkohshme, universiteti ka njoftuar se tarifa mund të paguhet në tre këste, por kjo nuk ka qetësuar plotësisht shqetësimin e studentëve.
Ngjarja ka shkaktuar gjithashtu reagime politike. Davide Faraone, nënkryetar i Italia Viva, e ka ironizuar situatën duke e quajtur “Mjekësi offshore”, duke theksuar se problemi nuk është Shqipëria, por mënyra se si universiteti po zhvendos problemet në vend të krijojë zgjidhje të qëndrueshme për studentët.
Studentët vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje për të mbrojtur të drejtën e tyre për arsim dhe për të gjetur një zgjidhje që të mos i privojë ata nga vendet e fituara me përpjekje dhe studim./Fanpage.it






















