
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin prodhues pësoi rënie të mëtejshme në tremujorin e fundit të vitit 2025. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, bizneset e sektorit të industrisë raportuan përsëri tkurrje të kapacitetit prodhues, njëlloj si tremujorin e tretë.
Shfrytëzim më të ulët të kapaciteteve prodhuese raportuan edhe bizneset e sektorit të ndërtimit. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit në sektorin e shërbimeve dhe atë të tregtisë.
Treguesi i shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve ka shfaqur në përgjithësi një ecuri në rënie gjatë vitit të kaluar. Në vija të përgjithshme, kjo përputhet edhe me një ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike gjatë vitit 2025. Të dhënat e INSTAT treguan se për 3-mujorin e tretë të vitit ekonomia shqiptare u rrit me 3.75%.
Mbështetur në të dhënat e deritanishme paraprake, për nëntë muajt e parë të vitit ekonomia shqiptare u rrit në masën 3.7%, në ngadalësim nga rritja prej afërsisht 4% e vitit 2024.
Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë rënien e sektorëve të saj prodhues. Bujqësia dhe industria janë në rënie prej disa tremujorësh radhazi. Kjo rënie u konfirmua edhe në tremujorin e tretë 2025, kur INSTAT raportoi se prodhimi bruto në sektorin e bujqësisë ra me 1.7%, ndërsa në atë të industrisë me 4.8%. Rritja ekonomike e vendit u mbështete kryesisht nga shërbimet e lidhura me turizmin, ndërtimi dhe nga rritja e pagave në sektorin publik.
Në një prononcim për Monitor, Banka e Shqipërisë vlerësonte në fund të 2025 se rritja ekonomike aktualisht ndodhte pranë vlerësimit të saj për potencialin afatmesëm të këtij treguesi.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se viti 2025 vijoi të ilustrojë disa probleme strukturore të ekonomisë shqiptare. Në veçanti, baza sektoriale e rritjes ekonomike nuk është e plotë ndërsa tregu i punës po shfaq mungesa në rritje, si pasojë e tendencave të pafavorshme demografike, emigracionit, si dhe e mospërputhjes së pjesshme midis aftësive të kërkuara nga punëdhënësit dhe atyre të disponuara nga punëmarrësit.
Në analizën sektoriale, Banka e Shqipërisë nënvizon se rritja ekonomike e dy viteve të fundit ka pasqyruar zgjerimin e sektorit të ndërtimit dhe të shërbimeve, ky i fundit me një kontribut pa diskutim primar nga të ardhurat e turizmit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai bujqësisë kanë shënuar rënie të aktivitetit.
Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri pasqyron si faktorë tranzitorë ashtu edhe faktorë më të qëndrueshëm strukturorë.
Faktorët tranzitorë, sipas saj, kanë natyrë të dyfishtë. Kërkesa për turizëm në rajon e Shqipëri ka pasur një rritje të shpejtë, rritje e cila ka sjellë zgjerimin e sektorit të shërbimit dhe ndërtimit, në përgjigje të nevojave për zgjerimin e kapaciteteve akomoduese. Përkundrejt tyre, kërkesa për artikuj industrialë ka qenë relativisht e dobët dhe çmimet në rënie, sidomos në segmentet tradicionale të eksportit shqiptar. Gjithashtu, rritja e kërkesës në dy sektorët e mësipërm ti vendosë ata në pozita mjaft konkurruese në tregjet e brendshme të punës e të kapitalit, çka ka vështirësuar më tej pozicionin e sektorit të bujqësisë e të industrisë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se maturimi i sektorit të turizmit në një horizont afatmesëm dhe balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në ekonomi, do të pasqyrohen në një zbutje të këtyre presioneve gjatë dy viteve në vijim.
Nga ana tjetër, faktorët strukturorë pasqyrojnë një kombinim të problemeve specifike të sektorëve të industrisë dhe të shërbimit, të cilët kanë si emërues të përbashkët shkallën relativisht të ulët të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në tregjet botërore. Adresimi i këtyre problemeve, sipas Bankës së Shqipërisë, kërkon vëmendje, si nga vetë bizneset private që ushtrojnë aktivitetet në këta sektorë, ashtu edhe reforma të mëtejshme strukturore, të cilat ndihmojnë në rritjen e produktivitet të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare./ Monitor.al/






















