Kronika 7 Janar 2026, 09:30 Nga VNA

Rrëmbyen Gerond Mecen për t’u tërhequr nga tenderat e AKSHI, KPP mban anën e biznesmenit të kërkuar Ermal Beqiri. I jep tenderin për dosjet gjyqësore

Ndaje në Whatsapp
Rrëmbyen Gerond Mecen për t’u tërhequr nga tenderat e

Më 30 dhjetor 2025, Komisioni i Prokurimit Publik mori një vendim lidhur me ankesën e dy kompanive për një tender të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion brenda të cilit SPAK ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Të dy u shpallën në kërkim, ndërsa në arrest shtëpie u dërguan drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësdrejtoresha e institucionit. Masa më të lehta sigurie u firmosën edhe për biznesmenë të tjerë dhe zyrtarë policie.

Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik ishte në favor të kompanive “Soft & Solutions” dhe “Horizon”. Kompania “Soft & Solutions” zotërohet nga biznesmeni në kërkim Ermal Beqiri. Ankues në këtë rast ishin kompanitë “Advanced Business Solutions” e biznesmenit Gerond Mece dhe “Data Log”, të cilat ishin bashkuar në një operator të vetëm ekonomik dhe kishin garuar për tenderin.

Gerond Mece, sipas dosjes së SPAK, u rrëmbye nga grupi kriminal i drejtuar nga Agasi dhe Beqiri me qëllim që të detyrohej të tërhiqej nga ankesat e depozituara pranë KPP-së lidhur me disa tendera. Sikurse rezulton nga hetimet, Mece, i cili u mor peng më 12 gusht 2015 nga persona të veshur si policë dhe të tjerë me uniforma të agjentëve të BKH-së, nën kërcënim u tërhoq nga të gjitha ankesat që kishte bërë pranë KPP-së për disa tendera, përfshirë edhe një tender me autoritet kontraktor Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Por pronari i kompanisë “Data Log” nuk ishte tërhequr nga ankesa, ndaj çështja kaloi për shqyrtim.

Kjo, megjithatë, nuk e pengoi Komisionin e Prokurimit Publik që në mbledhjen e datës 30.12.2025 të shqyrtonte ankesën me objekt: shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e ofertës së bashkimit të operatorëve ekonomikë “Soft & Solutions” SHPK & “Horizon” SHPK për procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur mbi kufirin e lartë monetar”, me Nr. REF-51102-06-13-2025, me objekt “Sistem Enterprise Service Bus (ESB)”, me fond limit 337.800.000 (treqind e tridhjetë e shtatë milion e tetëqind mijë) lekë pa TVSH, parashikuar për t’u zhvilluar më datë 15.09.2025 nga autoriteti kontraktor, Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Ankimues ishte bashkimi i operatorëve ekonomikë “Data Log” SHPK & “Advanced Business Solutions”. Mece dhe ortaku i tij kundërshtonin vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili kishte shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “Soft & Solutions” & “Horizon”, duke paraqitur argumentet përkatëse.

Komisioni i Prokurimit Publik, i përbërë nga nënkryetari Fiorent Zguro dhe anëtarët Kreshnik Ternova dhe Gjergj Mersini, vendosi të mos e merrte në konsideratë ankesën e Meces dhe ortakut të tij, duke lënë në fuqi vendimin e KVO-së.

Për rrjedhojë, fondet do t’i kalojnë bashkimit të operatorëve ekonomikë “Soft & Solutions” SHPK & “Horizon” SHPK. Thënë ndryshe, pavarësisht se Ermal Beqiri është në kërkim për akuzat “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, ai do të përfitojë një tender të majmë nga fondet shtetërore – dhe për ironi të fatit, nga vetë AKSHI.

Hetimet për grupin kriminal që vepronte brenda AKSHI-t vijojnë, pasi SPAK ka në duar dhjetëra video të zbuluara në zyrën e Ergys Agasit, ku përmes kamerave të instaluara prej tij janë regjistruar takime me çdo person, zyrtar apo jo, që ai ka takuar.

Video

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Një 89-vjeçar ka hapur zjarr këtë të martë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona në dy sulme të njëpasnjëshme. Autori qëlloi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas brenda një godine gjykate. Policia ka gjetur armën e krimit, një pushkë gjahu, dhe ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorit. Ndërsa të plagosurit ndodhen në spital.

Kur e pyet Sali Berishën se ç’mendon për debatet Spiropali-Rama…

Kur ke 36 vjet që drejton PD dhe hyn në “garë” për ta mbajt dhe ca kohë…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme