Sot nevojiten masa konkrete dhe investime reale për të ulur dëmet nga fatkeqësitë natyrore me buxhete të mirëpërcaktuara. Pa këto investime, çdo debat që kufizohet te shishet plastike në kanale apo fajësimi i qytetarëve shërben vetëm për të fshehur përgjegjësinë reale të shtetit për mungesën e parandalimit, planifikimit dhe reagimit afatgjatë.
EDITORIAL / Europa po përjeton gjithnjë e më shpesh episode ekstreme moti, nga përmbytje masive në Europën Qendrore dhe Veriore, te reshje me intensitet shumë të lartë për periudha të shkurtra, që kanë vënë në provë infrastrukturën, ekonominë dhe kapacitetet e reagimit të shteteve.
Shkenca prej vitesh paralajmëron se ndryshimet klimatike po rrisin probabilitetin dhe ashpërsinë e këtyre ngjarjeve: më shumë ujë në më pak kohë, më pak parashikueshmëri dhe më shumë dëme. Ajo që dikur konsiderohej “ngjarje e rrallë”, sot po kthehet në normalitet.
Në këtë panoramë europiane, Shqipëria nuk bën përjashtim. Ditët e fundit, vendi është gjendur sërish në pushtetin e natyrës, me përmbytje në disa qytete dhe zona rurale, ndërsa reshjet kanë qenë mbi mesataren historike.
Rrugë të bllokuara, biznese të dëmtuara, lumenj që dalin nga shtrati, toka bujqësore nën ujë dhe familje të përballura me pasiguri janë bërë një pamje e njohur, që përsëriten sa herë natyra “ngre zërin”.
Megjithatë, pikërisht këtu lind dilema thelbësore: sa nga intensiteti i dëmeve mund t’i atribuohet vetëm natyrës dhe sa lidhet me mungesën e masave parandaluese dhe menaxhuese ndër vite?
Kur dihet se ndryshimet klimatike e rrisin ndjeshëm gjasën e përmbytjeve, zjarreve apo fatkeqësive të tjera, pyetja nuk është më nëse do të ndodhin, por sa të përgatitur jemi kur ato ndodhin.
A i kemi nxjerrë mësimet e duhura nga përvojat e së kaluarës? Ngjarja më domethënëse që tronditi institucionet dhe opinionin publik mbetet tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Atëherë, reagimi i vakët u justifikua me riorganizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, pasi në të njëjtin vit ishte miratuar ligji që e ristrukturonte tërësisht këtë institucion. Që prej asaj kohe, supozohej se sistemi do të forcohej dhe se vendi do të hynte në një fazë të re përgatitjeje.
Në letër, ky proces ka ndodhur. Janë hartuar dokumente, strategji dhe plane: identifikimi i llojeve të fatkeqësive që e kërcënojnë vendin, hartat e rrezikut, planet e menaxhimit të emergjencave, sistemet e paralajmërimit të hershëm, si dhe planet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Në dokumente, Shqipëria duket “shumë mirë”.
Në praktikë, problemet mbeten të njëjta dhe dy janë thelbësoret. Së pari, sa herë ka përmbytje, zjarre apo fatkeqësi të tjera, pasojat janë pothuajse identike me rastet e mëparshme, madje shpesh edhe më të rënda.
Kjo tregon se ose masat për minimizimin e dëmeve nuk ekzistojnë, ose nuk merren në kohën dhe shkallën e duhur.
Së dyti, ekziston një ngërç i qartë përgjegjësish mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Shumë detyra i janë deleguar nivelit lokal, por pa burime financiare të mjaftueshme për t’i përmbushur ato, duke e lënë reagimin të fragmentuar dhe joefikas.
Këto probleme thellohen edhe më shumë nga një model zhvillimi i paqëndrueshëm i ndjekur për mbi tre dekada: shpyllëzim masiv, përkeqësim i biodiversitetit, erozion i tokës, ndotje e ujit, ajrit dhe tokës, si dhe ndërtime pa kriter, shpesh në zona të rrezikuara. Të gjitha këto e bëjnë vendin më të ekspozuar ndaj goditjeve natyrore dhe rrisin koston e çdo ngjarjeje ekstreme.
Vetëm së fundmi, Shqipëria ka hartuar një plan për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike për periudhën 2026–2030, me një kosto prej rreth 9.8 miliardë dollarësh, nga të cilat buxheti i shtetit mbulon vetëm rreth 7%. Pjesa tjetër pritet të sigurohet përmes Partneriteteve Publike-Private dhe instrumenteve financiare si obligacionet e gjelbra.
Në krahasim, shumica e vendeve të Bashkimit Europian kanë miratuar strategjitë e tyre kombëtare të përshtatjes që në fillim të viteve 2010 dhe prej vitesh po investojnë në mënyrë sistematike në sisteme mbrojtëse, menaxhim të ujërave, infrastrukturë të qëndrueshme dhe paralajmërim të hershëm.
Edhe vendet e rajonit kanë avancuar më herët në këtë drejtim, duke integruar përshtatjen klimatike në politikat e zhvillimit dhe në buxhetet publike. Shqipëria po hyn në këtë proces me vonesë, në një fazë kur ndikimet e ndryshimeve klimatike nuk janë më rrezik teorik, por realitet i përsëritur.
Kjo tregon se sfida nuk është thjesht hartimi i planeve, por kapaciteti për t’i financuar, për t’i zbatuar dhe për t’i koordinuar ato në kohë, përpara se kostot ekonomike dhe sociale të rriten më tej.
Sot nevojiten masa konkrete dhe investime reale për të ulur dëmet nga fatkeqësitë natyrore me buxhete të mirëpërcaktuara, forcim i koordinimit mes pushtetit qendror dhe vendor, si dhe një plan veprimi i qartë, me afate dhe përgjegjësi të përcaktuara për investimet në infrastrukturën kritike të mbrojtjes nga përmbytjet, nga kanalizimet urbane që dështojnë në çdo reshje intensive, te shtretërit e lumenjve dhe ndërhyrje në zonat e ndërtuara pa asnjë kriter mbi to.
Pa këto investime, çdo debat që kufizohet te shishet plastike në kanale apo fajësimi i qytetarëve shërben vetëm për të fshehur përgjegjësinë reale të shtetit për mungesën e parandalimit, planifikimit dhe reagimit afatgjatë./Monitor






















