Opinion 9 Janar 2026, 11:46 Nga VNA

Morali im, ligji yt: anatomia e një pushteti pa kufij

Ndaje në Whatsapp
Morali im, ligji yt: anatomia e një pushteti pa kufij

Nga Neli Demi

Kur një president deklaron se kufiri i vetëm i pushtetit të tij është “morali personal”, nuk kemi të bëjmë më me një debat politik, por me një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si kuptohet vetë pushteti. Në intervistën e tij të 8 Janarit për The New York Times, Donald Trump nuk sfidon vetëm ligjin ndërkombëtar apo institucionet multilaterale; ai artikulon një botëkuptim ku kufiri zhvendoset nga rendi publik te mendja e individit. Ky nuk është thjesht një stil qeverisjeje por në mendimin tim është një simptomë e një pushteti që nuk e duron dot më ndërmjetësimin.

Në demokracitë moderne, pushteti nuk ekziston kurrë i zhveshur. Ai është gjithmonë i ndërmjetësuar nga ligji, institucionet, traktatet dhe balancat që e tejkalojnë individin. Edhe presidentët më të fuqishëm veprojnë brenda një rendi simbolik që nuk u përket atyre personalisht. Pikërisht ky rend, shpesh i ngadalshëm, i papërsosur dhe madje edhe irritues është ai që e bën pushtetin të parashikueshëm dhe të jetueshëm.

Kur ky rend zëvendësohet nga deklarata “kufiri është morali im”, ndodh një zhvendosje thelbësore: ligji privatizohet, përgjegjësia subjektivizohet dhe kufiri pushon së qeni i përbashkët. Nuk është më sistemi që e frenon individin, por individi që vendos nëse sistemi vlen apo jo. Kjo nuk është thjesht arrogancë politike; është një formë mendimi ku pushteti refuzon çdo ndërmjetësim.

Nga ligji te vullneti

Refuzimi i ligjit ndërkombëtar dhe relativizimi i traktateve nuk janë vetëm zgjedhje taktike. Ato sinjalizojnë një kalim nga rendi i rregullave te rendi i vullnetit. Në këtë logjikë, forca bëhet kriter legjitimiteti dhe marrëveshjet shihen si pengesa, jo si garanci stabiliteti. Ligji nuk zhduket, por mbetet në pritje të vullnetit të atij që ka pushtetin ta zbatojë ose ta anashkalojë.

Ky lloj pushteti nuk e sheh kufirin si mbrojtje, por si dobësi. Prandaj ai kërkon ta zhvendosë gjithmonë jashtë vetes, tek tjetri: te aleatët “e dobët”, institucionet “ineficiente”, rregullat “e vjetruara”.

Psikologjia e zotërimit

Një nga momentet më zbuluese të intervistës është mënyra se si flitet për Groenlandën. Argumenti nuk ndërtohet mbi nevoja strategjike apo korniza ligjore, por mbi idenë e “ownership”, të zotërimit. Zotërimi, pra pronësia, paraqitet si domosdoshmëri psikologjike për suksesin.

Këtu politika flet gjuhën e psikologjisë: marrëveshja nuk mjafton sepse kërkon besim; traktati nuk qetëson sepse presupozon varësi nga tjetri. Vetëm zotërimi jep ndjesinë e kontrollit total. Është logjika e një pushteti që nuk toleron pasigurinë dhe që, për ta ulur ankthin, ka nevojë të zotërojë, jo të bashkëpunojë.

Paparashikueshmëria si armë

Kur frika përdoret si instrument diplomatik, ligji bëhet i panevojshëm. Paparashikueshmëria shndërrohet në armë dhe kërcënimi zë vendin e rregullës. Kjo formë pushteti funksionon në afat të shkurtër, sepse frika prodhon nënshtrim të shpejtë. Por ajo nuk prodhon besim, as stabilitet.

Një botë e qeverisur nga frika është një botë që imiton frikën. Çdo akt i tillë legjitimon të tjerët të veprojnë njësoj. Dhe kështu, ajo që nis si demonstrim force përfundon si cikël pasigurie globale.

Pushteti që refuzon superegon

Institucionet, ligji dhe traktatet ndërkombëtare funksionojnë si një lloj superegoje kolektive: një instancë e jashtme që vendos kufij edhe kur dëshira për veprim është e madhe. Kur kjo instancë refuzohet dhe zëvendësohet me “moralin personal”, kufiri nuk zhduket, por bëhet i paqëndrueshëm. Ai varet nga humori, nga interesi dhe nga momenti që përjeton individi.

Një pushtet pa kufi të qëndrueshëm është gjithmonë burim ankthi, jo vetëm për ata që e përjetojnë, por edhe për ata që e ushtrojnë. Sepse mungesa e kufirit nuk sjell qetësi, por detyrimin për të qenë gjithmonë më i fortë, më kërcënues, më i pakontestueshëm.

Një simptomë e kohës sonë

Kjo nuk është vetëm historia e një presidenti. Është historia e një kohe ku kufijtë simbolikë po dobësohen dhe tundimi për ta zëvendësuar ligjin me vullnetin po rritet. Në këtë klimë, pushteti që premton kontroll absolut duket joshës. Por historia tregon se pushteti që nuk pranon kufij nuk prodhon rend, por cikle frike dhe përplasjeje.

Në fund, pyetja nuk është nëse një lider ka moral personal. Pyetja është nëse një botë e ndërlidhur mund të jetë e sigurt kur kufiri i pushtetit nuk është më i përbashkët, por i vendosur nga mendja e një njeriu të vetëm.

Lexo gjithashtu

Video

Më shumë se 50 protestues, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i protestave antiqeveritare në Iran më 28 dhjetor, sipas organizatës joqeveritare Iran Human Rights me seli në Norvegji. Qindra të tjerë janë plagosur gjatë 13 ditëve të para të demonstratave që po zhvillohen në qytete të ndryshme të vendit. Autoritetet iraniane kanë vendosur një mbyllje të plotë të internetit në të gjithë vendin, duke reduktuar lidhjen në vetëm 1% të nivelit normal, sipas grupit të monitorimit të sigurisë kibernetike Netblocks. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të kufizuar informacionin dhe për të kontrolluar valën e pakënaqësisë qytetare. https://www.vna.al/bota/protestat-ne-iran-me-shume-se-50-te-vrare-mbyllet-interneti-i18711

Ky është momenti kur shembet masivi i dheut në aksin Matogjin-Bashaj, në bashkinë Selenicë, duke izoluar dhjetëra familje Sipas informacioneve paraprake, mali është shkëputur në dy pika të ndryshme brenda një harku kohor prej rreth dy orësh, duke rritur rrezikun për banorët dhe vështirësuar qarkullimin në zonë. Banorët kanë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, duke theksuar se situata paraqitet problematike dhe kërcënon sigurinë e tyre. https://www.vna.al/kronika/shembet-masivi-i-dheut-ne-aksin-matogjin-bashaj-ne-selenice-izolohen-dhj-i18713

Protesta në Durrësit është tensionuar pasi qytetarët kanë tentuar të futen në ambientet e bashkisë. Ata kërkojnë veprime konkrete për përballimin e gjendjes së rënduar pas përmbytjeve.

Qytetarët protestuan sërish këtë të premte para Bashkisë së Durrësit, në reagim ndaj përmbytjeve të rënda që prekën qytetin. Ata shprehën pakënaqësinë për mungesën e mbështetjes dhe reagimit nga institucionet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar. Gjatë protestës ka patur dhe përplasje me forcat e rendit pranë Bashkisë së Durrësit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme