Sociale 8 Shtator 2025, 08:24 Nga VNA

Kriza e arsimit, kriza e kombit!

Ndaje në Whatsapp
Kriza e arsimit, kriza e kombit!

“Arsimi që nuk të mëson të ngrihesh kundër padrejtësisë, nuk është arsim – është dështim.”

— John Dewey, filozof dhe pedagog amerikan, një nga mendimtarët më me ndikim të arsimit modern

EDITORIAL MONITOR/ Më 8 shtator, bankat e shkollës 9-vjeçare do të jenë dukshëm më bosh: të paktën rreth 112 mijë nxënës më pak do të ulen në to krahasuar me një dekadë më parë.

Kjo rënie prej 31% nuk është thjesht një shifër statistikore, por një tregues i një krize të thellë që prek në rrënjë të ardhmen e vendit – arsimin. Mungesa e fëmijëve në shkolla nuk është më fenomen lokal, por është bërë një realitet kombëtar, që e vë Shqipërinë përballë sfidës më të madhe të zhvillimit të saj modern.

Në shumë zona të vendit, sidomos në fshatrat e Jugut, shkollat po mbyllen sepse nuk ka më nxënës. Në disa njësi administrative numri i fshatrave është më i madh se vetë numri i fëmijëve, një pasqyrë dramatike e boshatisjes së zonave rurale.

Edhe në qytetet më të mëdha, ku dikur mësimi bëhej në disa klasa paralele, numri i klasave po bie vit pas viti. Në shkollat e vogla, mësimi zhvillohet në klasa të kombinuara, shpesh pa laboratorë dhe pa akses në teknologji. Ky realitet është pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve demografike të tranzicionit shqiptar, ku emigracioni masiv dhe ulja e lindjeve kanë ndryshuar përfundimisht strukturën e popullsisë.

Pas më shumë se tri dekadash tranzicion, vendi ka hyrë në një fazë ku jo vetëm që popullsia zvogëlohet, por edhe po plaket me shpejtësi. Mosha mediane e shqiptarëve ka arritur tashmë në 44.3 vjeç, sipas INSTAT, duke iu afruar mesatares së Bashkimit Europian prej 44.7 vjeç, sipas referimeve tw Eurostat.

Por ndryshe nga vendet e pasura europiane, Shqipëria po plaket pa u pasuruar, me një ekonomi ende të brishtë dhe me produktivitet të ulët. Një vend që plaket e tkurret nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme pa gjenerata të reja të arsimuara mirë, të afta të përballen me sfidat e tregut global dhe të prodhojnë inovacion e zhvillim.

Për fat të keq, edhe për ata fëmijë që mbeten në sistem, cilësia e arsimit nuk po jep shpresa. Shqipëria shënoi përkeqësimin më të madh në botë në testimet ndërkombëtare PISA, me rënie të ndjeshme në matematikë, lexim dhe shkencë.

Kjo tregon se jo vetëm kemi më pak nxënës, por edhe ata që kemi nuk po marrin arsimimin e duhur për të qenë konkurrues në një treg pune gjithnjë e më të ndërlikuar. Një shoqëri që humbet cilësinë e arsimit nuk mund të ndërtojë as ekonomi moderne, as shtet efikas dhe as shpresë për brezat e rinj.

Në këtë situatë, arsimi kthehet në pikën kyçe ku ndërthuren problemet demografike dhe ekonomike. Mbyllja e shkollave nuk është vetëm një problem social, por edhe një frenim i zhvillimit ekonomik.

Një fshat pa shkollë nuk mund të mbajë familje të reja, dhe një vend pa arsim cilësor nuk mund të mbajë të rinjtë brenda kufijve të tij. Ky është një rreth vicioz: më pak fëmijë, më pak shkolla, cilësi më e ulët e arsimit dhe më shumë emigracion. Çdo hallkë ushqen tjetrën dhe e çon Shqipërinë drejt një horizonti të pasigurt.

Ndikimet mbi ekonomi janë të shumta. Një fuqi punëtore që pakësohet dhe plaket e ka të pamundur të mbajë konkurrueshmërinë e vendit. Pa investime serioze në arsim dhe formim profesional, tregu i punës nuk mund të përgatisë njerëz me aftësitë që kërkon ekonomia dixhitale dhe e gjelbër.

Në vend që të bëhemi pjesë e transformimeve të reja ekonomike që po ndodhin në Europë, rrezikojmë të mbetemi një vend që eksporton krah pune dhe që importon ide, teknologji dhe shërbime të cilat nuk i prodhon dot vetë.

Arsimi është baza mbi të cilën ngrihet zhvillimi i një vendi. Pa një sistem arsimor që garanton cilësi, barazi dhe modernizim, nuk mund të ketë as rritje të qëndrueshme ekonomike, as mirëqenie për qytetarët.

Nëse nuk e vëmë arsimin në qendër të politikave publike, duke e parë si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen, rrezikojmë të humbasim edhe kapitalin njerëzor që kemi ende dhe të mbetemi për dekada ndër vendet më të varfra të Europës.

Shifrat e sotme janë një thirrje alarmi që nuk mund të shpërfillet: kriza e një kombi fillon nga arsimi dhe nëse nuk e ndalim tani, ajo do të përcaktojë fatin tonë për shumë vite që vijnë./Monitor

Video

Ju flet Tirana… po japim lajmet e antikorrupsionit në QSUT.

Ju flet Evis Sala për dhunën ndaj grave në hapësirën digjitale… e sigurt që nuk e ka parë konferencën e djeshme të shefit te madh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bagdad është goditur nga një dron ose raketë, sipas një zyrtari të sigurisë irakiane. Sulmi ndodhi pak pasi dy militantë të mbështetur nga Irani u vranë në një bastisje në kryeqytetin irakian. Është hera e dytë që ambasada amerikane sulmohet që nga fillimi i luftës Izrael-SHBA kundër Iranit. Sulmet janë marrë përsipër nga grupe të armatosura pro-iraniane në Irak, të cilat prej ditësh po godasin me dronë dhe raketa bazat amerikane në rajon.

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme