Prokuroria e Durrësit goditi një skemë të falsifikimit dhe tjetërsimit të pronave në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ku u zbuluan gjashtë raste të përvetësimit të tokave shtetërore në zonën bregdetare të Kallmit dhe NB Frutore.
Gjykata caktoi masa sigurie për 12 persona, mes tyre punonjës të ASHK-së dhe përfitues të skemës. Katër persona u lanë në arrest me burg, katër në arrest shtëpie dhe katër të tjerë u vendosën nën masën detyrim për paraqitje.
Sipas hetimeve, dokumentet e falsifikuara janë futur në arkivën e ASHK-së, janë regjistruar me data fiktive dhe janë zëvendësuar fletët origjinale të regjistrave, duke kaluar prona shtetërore në emër të personave privatë. Më pas, një pjesë e këtyre pasurive janë shitur për të fshehur gjurmët e skemës.
Me kërkesë të Prokurorisë u vendos gjithashtu sekuestro preventive mbi 13 pasuri me një sipërfaqe totale mbi 53 mijë metra katrorë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe rasteve të tjera të dyshuara.
Njoftimi
Falsifikuan dhe tjetërsuan pronat në ASHK, me kërkesë të Prokurorisë Durrës caktohen masa sigurimi ‘Arrest në burg’ dhe ‘Arrest në shtëpi’ për 12 persona, sekuestrohen 53 mijë m2 tokë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u caktuan masa sigurimi ‘Arrest në burg’, ‘Arrest në shtëpi’ dhe ‘Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ për 12 shtetas nën hetim për veprën penale të ‘Mashtrimit’, ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 186, 248 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetmet mbi procedimin penal nr.582 të vitit 2022, nisën kryesisht, pasi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës, janë konstatuar problematika nga inventarizimi i regjistrave hipotekore duke krijuar dyshime për falsifikimin e tyre.
Nga ana e organit procedues u arrit të provohet mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive me qëllim përfitimin material në 6 raste në zonën kadastrale 1574, ndodhur në Kallm dhe NB Frutore Durrës (zona bregdetare).
Personat nën hetim, shtetasit R.Sh, Sh..Sh, A.M, V.M, B.XH dhe F.Xh nëpërmjet bashkëpunimit me punonjës të ASHK-së Durrës, falsifikuan dokumentacionin për regjistrimin e pasurive në kundërshtim me dispozitat ligjore me qëllim përfitimi material. Dokumentat e falsifikuara futeshin në arkiven e ish-ASHK-së Durrës duke marrë numra reference në disa raste të dubluara, dhe më pas janë hedhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke i vendosur data fiktive regjistrimi.
Gjithashtu, rezulton se jane hequr fletët origjinale të regjistrit nga ku pasuria me zë kadastral “shtet” u zëvëndësua me fletë të fallsifikuara në emër të personave në hetim, të cilët më pas në disa raste për të humbur gjurmët i kanë shitur këto pasuri te persona të tretë.
Po ashtu rezulton se nga ana e punonjësve të ASHK-së Durrës, shtetasve A.K, B.Z, R.Z, J.G, L.D dhe A.C u janë regjistruar pasuritë me dokumentacionin e falsifikuar, në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke mos kryer verifikimet përkatëse të përcaktuara në këto dispozita.
Sa më sipër, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u vendos:
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin R.SH…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin A.K…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin B.Z…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin R.Z…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin Sh.Sh…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin V.M…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin A.M…
Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin B.XH…
Caktimi i masës “Detyrim për t’u paraqitur” për shtetasin F.XH…
Caktimi i masës “Detyrim për t’u paraqitur” për shtetasen J.M…
Caktimi i masës “Detyrim për t’u paraqitur” për shtetasin L.D…
Caktimi i masës “Detyrim për t’u paraqitur” për shtetasin A.C…
Me kërkesë të Prokurorisë u vendos gjithashtu sekuestro preventive ndaj 13 pasurive, me sipërfaqe totale mbi 53 mijë m², ndërsa hetimet vijojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe rasteve të tjera të dyshuara.






















