Sot, më 29 nëntor, Shqipëria përkujton 80-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit fashistë italianë dhe gjermanë. Kjo ditë shënon fundin e një periudhe të gjatë okupimi që filloi më 7 prill 1939 dhe përfundoi në fund të nëntorit 1944.
Pas Çlirimit të Tiranës më 17 nëntor 1944, Ushtria Nacionalçlirimtare vijoi operacionet e saj për çlirimin e veriut të vendit, duke arritur më në fund lirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Ky moment historik vulosi lirinë e plotë të Shqipërisë dhe e bëri vendin e parë në Ballkan që arriti çlirimin me forcat e veta.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje historike, autoritetet më të larta shtetërore do të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Kombit, ndërsa një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe kulturore janë planifikuar në mbarë vendin. Institucione të ndryshme kulturore kanë njoftuar organizimin e ekspozitave, koncerteve, valleve dhe aktiviteteve të tjera që synojnë të festojnë historinë, kulturën dhe traditat shqiptare.






















