Enkelejd Alibeaj, deputet në Parlamentin e Shqipërisë, I kërkon presidentit Begaj, mos dekretimin e ndryshimeve të miratuara dje në Parlament, për Kodin Zgjedhor. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Alibeaj njofton se “I kam dorëzuar sot Presidentit të Republikës, kërkesën për mosdekretimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar", pasi cënon parimet kushtetuese të parashikuara nga nenet 17, 18, 45 dhe 64 të Kushtetutës si dhe është në kundërshtim me frymën, arsyetimin dhe përfundimet e arritura nga vendimi 28/21 i Gjykatës Kushtetuese.
Ligji i miratuar është në kundërshtim me frymën dhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese e cila përcakton se interesi i partive politike për vetërregullim nuk mund të kufizojë përtej nevojës proporcionale të drejtën e qytetarëve për të përzgjedhur me votë parapëlqyese përfaqsuesit e tyre”.
Sipas tij, në rast se ky ligj do të hyjë në fuqi, vitin e ardhshëm shqiptarët do të kenë ofertë nga partitë tradicionale vetëm një listë preferenciale të kryetarit, nuk do të kalojnë asnjë filtër përzgjedhjeje apo meritash por do të jenë të privilegjuarit e kryetarëve.


















