Houston, 2 Tetor 2024 – Reperi dhe producenti i njohur Sean “Diddy” Combs është në qendër të një skandali të rëndë ligjor, pasi avokati Tony Buzbee paralajmëroi se ai dhe shumë figura të tjera të fuqishme janë të përfshira në një rrjet të gjerë sulmesh seksuale dhe aktivitete të paligjshme. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Hjuston, Buzbee deklaroi se “do të vijë dita” kur emrat e personave të tjerë të përfshirë në këto krime të supozuara do të bëhen publikë.
Avokati i njohur, i cili përfaqëson më shumë se 100 viktima të pretenduara, tha se gjysma e viktimave janë meshkuj dhe se sulmet kanë ndodhur në disa shtete të SHBA-së. “Ne do të ekspozojmë personat që kanë mundësuar këto sjellje me dyer të mbyllura. Ne do ta ndjekim këtë çështje pavarësisht se kush implikon provat”, u shpreh Buzbee.
Combs u arrestua muajin e kaluar nën akuzat për konspiracion të shantazhit, trafikim seksual, mashtrim dhe prostitucion. Reperit iu mohua lirimi me kusht dhe po mbahet në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn.
Ky skandal tronditës pritet të marrë përmasa edhe më të mëdha me kalimin e kohës, ndërsa Buzbee paralajmëroi se lista e personave të dyshuar është e gjatë dhe përfshin emra që “do të shokojnë” publikun.






















